“Enrique? Kam raport të mirë”, Mbappe thyen heshtjen, Al Khleaifi qetëson tifozët
Kylian Mbappe ka bërë gati “valixhet” prej kohësh, por pa diskutim shpreson që me PSG ta mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme. Kapiteni rezultoi edhe një herë përcaktues me “dopietë” e tij duke i dhuruar klubit kualifikimin për në fazën çerekfinale të Champions League, një objektiv i arritur që qetëson disi ambientin:
“Jemi shumë të lumtur, dëshironim të fitonim për të siguruar kualifikimin. Cili është mesazhi im pas kësaj dopiete? Nuk kam asnjë mesazh në veçanti, Champions është një turne i veçantë ku duhet të japësh gjithnjë maksimumin”, u shpreh Mbappe duke bërë në fund dhe një koment të shkurtër për raportin e tij me Luis Enrique: “Shumë i mirë, shumë i mirë. Nuk kam asnjë problem me të. Luis nuk është një problem për mua”, theksoi Mbappe.
Sigurisht nuk mund të mungonte edhe një koment nga ana e Luis Enriques: “Ne trajnerët kërkojmë gjithnjë të gjejmë zgjidhje, por janë lojtarët ata që luajnë. Të gjithë lojtarët luajtën në një nivel të lartë. Ishin solid në mbrojtje dhe efikas në sulm”, u shpreh Luis Enrique.
Pas këtij suksesi, edhe sheiku Al Khelaifi u detyrua të flas sërish në lidhje me Mbappe-n: “Nuk e di nëse do të largohet, klubi nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar dhe nuk mund t’i bëj unë. Mbappe ka një kontratë me klubin dhe po punon për ne. Ju siguroj se ne po punojmë për diçka të rëndësishme në lidhje me të ardhmen”, theksoi presidenti i PSG.
()