Organizatat e medias: Ndal fushatës së shpifjeve ndaj gazetares Ola Xama
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, një aleancë organizatash në rajonin e Ballkanit, shprehu shqetësim dhe zhgënjim të thellë për riaktivizimin e një fushate denigruese dhe shpifëse kundër gazetares Ola Xama nga e përditshmja DITA dhe portali Prapaskena.
Të dy mediat janë paditur për shpifje nga gazetarja pas një fushate të ngjashme të ndërmarrë verën e kaluar, në vijimësi të publikimit të një investigimi që Xama bëri në lidhje me rolin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në aferën e inceneratorit të Tiranës.
“Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt shpreh shqetësim të thellë dhe zhgënjim mbi vijimin dhe intensifikimin e fushatës së shpifjeve kundër gazetares Ola Xama, një gazetare investigative në Shqipëri,” shkruhet në deklaratën e shpërndarë të enjte.
“Në një seri të re artikujsh në platformat si gazeta e përditshme DITA dhe Prapaskena, Xama është sulmuar si “e përdalë” ndërsa ekspozimi i adresës së saj private dhe sulmet ndaj familjarëve të saj janë jo vetëm e dënueshme por edhe një përpjekje e hapur për ta frikësuar dhe për ta shtyrë atë drejt heshtjes,” thuhet në deklaratë.
Xama u vendos nën sulm nga një numër portalesh verën e kaluar pas publikimit të investigimit Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK.
Pas publikimit të investigimit, Veliaj i shkroi në një mesazh privat Xamës duke e shpallur atë “vrasëse me pagesë” dhe “militante”, një terminologji që u shumëfishua nga portale të ndryshme online dhe nga gazeta DITA për ditë të tëra.
Xama iu drejtua gjykatës me padi për shpifje kundër Ditës dhe Prapaskenës në lidhje me këto fushata denigruese.
“Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt solidarizohet me Ola Xamën, në mbështetje të të drejtës së saj për raportim të lirë dhe pa frikë. Ne i bëjmë thirrje mediave në fjalë të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre të pabaza dhe dëmtuese kundër znj. Xama dhe të respektojnë standardet e integritetit dhe etikës në gazetari,” shkruhet në deklaratë.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të na bashkohen në mbrojtjen e të drejtave të grave gazetare dhe në promovimin e një panorame mediatike në të cilën gazetaret të mund të punojnë pa frikë për sulme apo diskriminim.”