Roma dhe Liverpooli “prekin” çerekfinalet, Leverkuseni shmang humbjen “in extremis”
Nuk ka histori në “Olimpiko” me Romën që dominoi dhe triumfoi me rezultatin e thellë 4-0 ndaj anglezëve të Brightonit, duke vulosur kualifikimin në çerekfinale që në ndeshjen e parë.
Verdhekuqtë e De Rossit dhuruan një tjetër 90-minutësh mjaft të bukur, duke shënuar dy herë në pjesën e parë me Dybalën dhe Lukakun, ndërsa në 45-minutëshin e dytë ishin italianët Mancini e Cristante që vulosën suksesin bindës 4-0.
Nga ana tjetër, Brightoni i De Zerbit zhgënjeu totalisht, duke u shfaqur larg formës me të cilën na ka mësuar dy sezonet e fundit të Premier League, teksa sfida e kthimit javën e ardhshme do të jetë vetëm një formalitet për italianët e Romës, pasi 4-0 është një rezultat që nuk lë vend për surpriza.
Kalimi në çerekfinale do të jetë një formalitet edhe për Liverpoolin, që triumfoi me rezultatin e thellë 1-5 në transfertën çeke ndaj Spartës së Pragës.
“The reds” zgjidhën gjithçka në pjesën e parë, duke shënuar me MacAllister dhe dy herë me Nunez, ndërsa në pjesën e dytë ishin Luiz Diaz dhe Szobozlai që vulosën suksesin. E pafuqishme Sparta e Pragës, teksa dy futbollistët shqiptarë e nisën nga stoli për t’u aktivizuar Laçi në minutën e 65-të dhe Tuci në të 75-ën.
Sfida tjetër e mbrëmjes ishte ajo mes Qarabag dhe bayer Leverkusen, me gjermanët që shmangën humbjen në fund dhe lanë të hapur kualifikimin për në ndeshjen e kthimit. Skuadra azere shënoi dy herë në pjesën e parë, ndërsa në 45-minutëshin e dytë ishin Wirtz dhe Schick që rikthyen baraspeshën, duke shtyrë çështjen e kualifikimit për në javën e ardhshme në “Bay Arena”./ Super Sport
AlbaniaWeb.net