Wed, Nov 27, 2024

Kovaçi i fundit në Dropull! Jani Miçi, përpunuesi i rrallë i hekurit për objektet nostalgjike: I kam mësuar profesionin të rinjve, por kanë ikur jashtë

  • PublishedMarch 10, 2024

Jani Miçi, sot 73 vjeç mban ende gjallë në Dropull, në fshatin Vrisera, kovaçanën e fundit që prodhon  vegla pune ose që riparon objekte me vlerë nostalgjike.

Jani gjithë jetën e tij që 16 vjeç e ka lidhur me zanatin e kovaçit dhe ka përgatitur mijëra vegla pune dhe zbukurime në hekur për klientë nga i gjithë Jugu i vendit por edhe nga veriu i Greqisë. I vetëm, pa ndihmës ai vazhdon t’i japë jetë hekurit dhe është i kënaqur që përgjatë jetës ka ushtruar një profesion që e ka dashur, që i ka kalitur durimin dhe të menduarin.

Ishim shumë djem nga familja, të tjerët shkuan në shkollë me bursë shteti, kanë mbaruar universitete dhe gjëra të tjera, unë ngela më shelegët. Në moshën 16-vjeç babai më tha të mësosh një zanat, vajta të mësoj në Gjirokastër për kallajxhi në fillim 6-muaj shkoja për kallajxhi dhe për kovaç të usta Nimeti, ka qenë ustai i madh  si përfundim erdha këtu në Vrisera“, tha Jani Miçi-kovaç.

Profesioni i kovaçit hyn mes dijenive që po kërcënohen me zhdukje në qarkun e Gjirokastrës, sidomos dijenitë traditcionale të kovaçanës. Megjithëse teknologjia prodhon tashmë vegla pune dhe pajisje me çmime konkurente dhe në sasi të jashtëzakonshme ende ka porositës për objekte hekuri. Profesioni ka qenë dikur shumë i vlerësuar nga njerëzit tregon Jani.

“Kaq punë bënim që nuk e merr me mend dhe gjithë sektorët këtu, gjithë fshatrat  vinin këtu te dyqani, mbushej dyqani me vegla në mëngjes dhe në darkë nuk  linim asnjë, u bënim njerëzve, ishte pa para atëherë, na paguante kooperativa dhe në i bënim gati, i merrnim njerëzit punonin  dhe me ato rronin, me ato vegla punonin. Merr një hekur të vjetër dhe bën një vegël të bukur të punojë njeriu, kjo është kënaqësi që punon një gjë të bukur nga dora tënde, të thonë njerëzit  faleminderit usta,  ka të mira shumë ky zanat,  ta mendosh nga ana psikologjike  të të flasin edhe përshëndetje usta është gjë e madhe”, u shpreh ai.

Jani është mes të paktëve banorë të Dropullit që ka qenë vetëm një vit në emigracion. Lidhja e tij me vendlindjen dhe njerëzit e ktheu në shtëpi për  të çelur punishten e tij të veglave.

“Një vit ndenja, më pa ustai që isha edhe punëtor dhe zanatçi, ik më tha, hap një vrimën tënden,  këtu hyzqemar i grekëve do të jesh. Si përfundim vendosa erdha këtu në fillim më ndihmoi ai me punë, pastaj ndenja këtu ku të veja, fëmijët i kisha në fillim, dy djem kam edhe ata  filluan zanatin këtu, tani janë  në Athinë, bëjnë punë të ndryshme”, deklaroi Jani Miçi-kovaç.

Ndërsa vitet kalojnë të rinjtë nuk e preferojnë më këtë zanat duke bërë që Jani dhe kovaçana e tij të jenë të fundit në Dropull.

“Kam kaluar shumë ndihmësa, punonin me mua shumë bukur, mrekulli, në fund  gjenin punë tjetër, iknin në Greqi , ikën në Europë, ikin nuk rrijnë djemtë”, u shpreh Jani Miçi-kovaç.


AlbaniaWeb.net