Tue, Nov 26, 2024

“Isha afër klubit të madh gjerman”, Asani: “Sallakja” ime gati për Euro 2024

  • PublishedMarch 11, 2024

“Ylli” i kombëtares shqiptare, Jasir Asani preku tema të ndryshme në një lidhje direkte me emisionin “Analizë kuqezi”.

Po bëj stërvitje çdo ditë, në mëngjes dhe pasdite. Po e stërvit edhe të majtën. E majta ime është e gatshme si gjithmonë. Po e kap veten, sepse jam afruar me vonesë në skuadër.

Merkatoja e janarit? Kam patur disa oferta shumë të mira. Isha shumë afër Las Palmasit, por klubi im nuk ra dakord. Klubi vendos, por shifra që kërkuan ishte e madhe.

U kam thënë drejtuesve dhe trajnerit që do të bëj më të mirën derisa të jem në Kore. Por do e shohim pas Europianit se çfarë do të ndodhë.

Miqësoret? Dy Kombëtare shumë të forta. Do të luajmë si për tri pikë. Do të bëjmë maksimumin dhe do të përgatitemi që t’i mbyllim këto ndeshje pa dëmtime.

Na pret një Europian shumë i fortë. Dy miqësoret (Kili, Suedi) do të jenë të bukura, në Itali dhe Suedi. Do të kemi shumë tifozë shqiptarë në Parma.

Çfarë do të doja të ndryshoja te vetja? Po stërvitemi për t’u përgatitur sa më mirë, në aspektin sulmues dhe mbrojtës. Duhet të jap më shumë, sepse kampionati është shumë i fortë.

Dua të jap më shumë, këtu në Kore stërvitjet janë më të forta se ndeshjet. Duhet ta marr veten, që t’i jap sa më shumë ekipit dhe Kombëtares. Do të jap maksimumin.

Goli më i bukur? Të tre golat e mi në eliminatore ishin të bukur, por mos të harrojmë golat e Bajramit dhe Asllanit, gjithashtu shumë të bukur.

Kam shumë shokë në Suedi, të cilët më kanë shkruar. Kam luajtur në atë stadium kur isha pjesë e AIK-ut. Besoj se do të ketë shumë tifozë në Suedi, sepse ka shumë shqiptarë që jetojnë atje.

Kontakte me Sylvinhon? Normal, si çdo lojtar. Të gjithë lojtarët janë mirë, nuk kanë dëmtime. Të përgatitemi dhe do Zoti nuk dëmtohet askush nga lojtarët e Kombëtares.

Konkurrenca në sulmin kuqezi? Gjë pozitive. Të gjithë po luajnë në kampionate të forta, po bëjnë mirë, po shënojnë gola. Asnjë lojtar nuk e ka të sigurt Europianin.

Është stafi që vendos, por ne duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë në ekipet tona, si gjithmonë. Të përgatitemi, të stërvitemi fort dhe të shënojmë gola. Mbi të gjitha të mos dëmtohemi.

Kombëtarja? E kam patur në grumbullim tani një futbollist të Kombëtares. E njoha në sezonin 2015/2016. Kemi qenë shokë, kemi folur gjithmonë kur takoheshim. Dëshira ime ka qenë që në fëmijëri që të jem pjesë e kombëtares shqiptare.

E kam shprehur gjithmonë. I thashë edhe atij shokut, tani jemi shumë miq, flasim çdo ditë. I kam thënë atëherë se ndoshta do të vijë një ditë ftesa e Kombëtares.

Dhe kur të vijë do të jap maksimumin që t’u tregoj të gjithëve se e meritoj këtë fanellë. Edhe do të jap gjithmonë për këtë fanellë, për aq kohë sa të jem pjesë e Shqipërisë.

Ku do të më pëlqente të luaja në të ardhmen? Nuk do përmend ekipe, edhe pse isha pothuajse 90% mes Spanjës dhe Gjermanisë. Las Palmasi ishte në Spanjë, ndërsa në Gjermani po bisedoja me një ekip shumë të madh.

Do të ishte hapi më i madh në karrierën time, por nuk u arrit marrëveshja mes klubeve…

Euro 2024? Nuk kam frikë nga asnjë ekip. Emocioni më i madh ishte kur vesha fanellën kuqezi në ndeshjen ndaj Moldavisë. Nuk kam frikë asnjë kundërshtar”, u shpreh lojtari i Gwangju në Korenë e Jugut.


AlbaniaWeb.net