“Krim i pastër shtetëror”, gazetari për çështjen ’21 Janari’: Kaseta është provë e jashtëzakonshme, ata kanë komunikuar në një kanal sekret
Gazetari Artan Hoxha deklaroi në “Top Talk” për “Çështjen 21 Janari”, për të cilën foli edhe për provën e re, atë të kasetës së regjistrimeve.
“Është një krim i pastër shtetërorë dhe duhet të hetohet si i tillë. Nuk e hetonte dot prokuroja e Tiranë e vetme. Nuk kishte as burimet e mundshme, as njerëzore, as ato logjistike dhe as vullnetin për ta bërë. Që të hetosh të gjithë zinxhirin komandues të asaj kohe dhe të asaj kohe, këtë gjë e bën vetëm SPAK-u dhe këmbëngulëm që këtë duhet ta bënte vetëm SPAK-u. Unë atë regjistrim ia kam çuar së pari babait të Aleks Nikës që ta dëgjonte. Për tu bindur si ka ndodhur vrasja e djalit të tij. Nga aty kemi bërë një strategji se si do të kërkojmë që kjo çështje të shkonte në SPAK. Unë nuk ka tagrin ligjor. Ne nuk e hapim çështjen thonin ata se nuk kemi prova të reja. Pse duhet të kesh prova të reja, ti ke dy të vrarë pa autor. Ti nuk e ke hetuar ngjarjen. Aleks Nika dhe Hekuran Deda nuk kanë autorë. Sot autorë ka vetëm Ziver Veizi dhe Faik Myrto. Ziver Veizi është e provuar edhe shkencërisht me predhën e gjetur në trupin e tij që është shkrepur nga Shefi i Shtabit të Njësisë Speciale, Agim LLuko. Faik Myrto është vrarë nga pistoleta që ka qenë në përdorim nga Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Pra atje nuk ka vrarë një njeri i thjeshtë, por drejtuesit më të lartë të Gardës. Çfarë elementi sillte kaseta? Për mua si gazetar ajo është një provë jashtëzakonisht e madhe që dëshmon se vrasjet janë bërë nga shteti. Ne nuk ia vumë në dispozicion Strasburgut atë kasetë… Prokuroria, SPAK-u, duhet ta marrë atë sepse rrezikohet jeta e atij që ka bërë regjistrimin. Që ka regjistruar komandat sepse ata kanë folur në një kanal sekret, ka qenë një rreth i ngushtë personash që e kanë përdorur”, tha Hoxha.
AlbaniaWeb.net