Tue, Nov 26, 2024

Kreu i SPAK bën deklaratën e fortë: Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori

  • PublishedMarch 15, 2024

Kreu i SPAK, Altin Dumani bëri një deklaratë të fortë këtë të premte, ku tha se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori.

Dumani e dha këtë deklaratë gjatë takimit të parë të një nisme dialogu mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”, e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Shqetësimi më i madh është kërcënimi nga krimi i organizuar dhe jo kërcënimi nga politika, sips Dumanit, i cili theksoi se detyra e Prokurorisë së Posaçme është të hetojë dhe se anëtarët e SPAk janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata.

“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar , jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyre”, tha Dumani sipas gazetares së AlbaniaWeb.net, Anila Hoxha.

Gjatë fjalës së tij, Dumani theksoi se vetëm gjatë vitit 2023 janë regjistruar kallëzime sa për tre vite së bashku, ndërsa theksoi se është detyra e çdo institucioni të luftojë korrupsionin.

“Që në fillim nuk do pajtohesha me ju kur thoni ka bërë histori, nuk ka bërë gjë tjetër veçse të përmbushë detyrimet kushtetuese si ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pavarësisht se kemi hyrë në vitin e pestë duhet vlerësuar veprimtaria, që do të thotë të bëjë hetime ngrejë akuza, ndaj çdo zyrtari pavarësisht pushtetit dhe lidhjeve. Por gjatë katër viteve SPAK ka treguar se ne jemi vetëm në fillimet e punës sonë. Shpresojmë që gjykatat të japin vendime fajësie për akuza të ngarkuara nga ana jonë. Ne kemi patjetër rezultate të suksesshme dhe ky është synimi ynë. Për pesë vitet e ardhshme duhet të besojmë që kemi një institucion të konsoliduar me hetime dhe vendime ndaj të gjitha niveleve. Është e vështirë, por jo e pamundur, por qoftë dhe këto rezultate na stimulojnë dhe na nxisin që të punojmë akoma më shumë.

Por gjithmonë që të keni akuza të suksesshme, pra me vendime fajësie. Se kemi disa gjykata që na kontrollojnë përfshi dhe Kushtetuesen deri ne Strasburg. Në punën tone si institucion kemi edhe ne problematikat tona vështirësitë tona, që lidhet së pari me paqartësinë e statusit të Prokurorisë së Posaçme. Ju e dini që mandati është nëntë vjet dhe pas kësaj nuk dihet ku do vejë. Mendoj që kjo është e padrejtë sepse prokurori duhet të shkojë atje ku ka qenë, dhe nga maja e karrierës ta dërgosh prokurorin e Posaçëm në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm në Shkodër apo nga vijnë kolegët e mi të nderuar, shkakton mungesën e sigurisë.

Dëmi më i madh është institucional, dhe nëse kjo  trupë për të cilën është investuar kaq shumë është shumë e vështirë të mbushësh vakumin. Për më tepër janë nëntë prokurorë që ikin njëherësh dhe kjo situatë nuk është zgjidhur shpresojmë të zgjidhet. Kemi mungesë të këshilltarëve ligjorë, sepse prokurorët e SPAK përfaqësojnë akuzën në të treja shkallët e gjykimit. Problematikë tjetër është Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm. Drejtuesi i SPAK merr dhe përfaqëson në KPA gjithë barrën për Vettingun. Është nominativë. Pritshmëria është rreth 150 seanca që duhet t’i përfaqësojë drejtuesi i SPAK.

Ka një rënie prej 40 për qind të kallëzimeve nga institucionet. Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty. Vetëm KLSH herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit që po…, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin. Gjatë 2023 kemi regjistruar kallëzime sa për tre vite se bashku, duke qenë të vëmendshëm ndaj raportimeve ne media, kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe ju përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurorimet. Për të qenë të ndërgjegjshëm duhet të bëjmë të gjithë, por ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë. Çdo institucion ka bilbilfryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë.

Tjetra, kompetencat e Gjykatës së Posaçme për të shqyrtuar ekzekutimet penale të të dënuarve duhet t’i kalojë Gjykatës së Posaçme. Sepse pa dashur t’i paragjykoj kolegët, por nuk mund të trajtohen ata që dënohen nga ne me një lehtësi sikur kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Flitet t’i shqyrtojë Gjykata e Posaçme dhe këtu kam parasysh lirimin e një ish funksionari nga një gjykatë tjetër që ndodhi para kohe”, tha ai gjatë fjalës në takim.

“Ne e vlerësojmë median si një partner të rëndësishëm. Jemi të kujdesshëm ndaj atyre çështjeve që quhen skandale. Shumë hetime kanë marrë shkas nga mediat. Duhet të kemi parasysh që në realitetin shqiptar media nuk është imune nga krimi i organizuar. Jo edhe media si çdo gjë tjetër në këtë vend nuk ështe imun. Detyrimi i SPAK është që edhe gazetarët që mund të abuzojnë me detyrën e tyre të bëhen verifikimet. Ne e kemi detyrim ligjor për të kontribuar në mbrojtjen e sigurisë publike dhe kombëtare. Patjetër në respektim të ligjit”, shtoi kreu i SPAK.

Kreu i KLSH-Së, Arben Shehu i pranishëm në takim tha se SPAK është kthyer në adresë shprese për individët dhe institucionet në vend, nisur nga puna e bërë këto vite në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Prokuroria speciale është sot struktura hetimore elitë e shtetit shqiptar. Ajo është produkt i punës së institucioneve shqiptare nën mbështetjen e madhe te institucioneve ndërkombëtare dhe partnerëve të shtetit shqiptar. Përgjatë kësaj periudhe ajo ka arritur që jo vetëm të përballojë nevojat e shoqërisë shqiptare por jam i sigurt se ka justifikuar e rritur besimin dhe të institucioneve ndërkombëtare. Stafi i prokurorëve të drejtuar nga Altin Dumani vjen si pjesë e një rrugëtimi prej vitesh në sistemin e drejtësisë. Eksperienca e tyre së bashku me nivelin e lartë profesional është bërë një produkt i vërtetë besimi për shoqërinë shqiptare. Të gjithë kemi parasysh rezultatet e deritanishme të cilat kanë bërë që Spak të kthehet në një adresë shprese për individët dhe institucionet në përgjithësi. Të nderuar pjesëmarrës. Unë mendoj se një faktor që ka ndikuar shumë në këtë proces është dhe pavarësia e kësaj strukture. Pavarësia është e panegociushme!! Ju ftoj që të jemi të vëmendshëm për të evidentuar çdo tendencë për monitorim apo më keq të rritjes së kontrollit. Në këtë drejtim media shqiptare ka luajtur e po luan një rol tepër të rëndësishëm. Pavarësia e institucioneve është garanci për demokracinë dhe jetën e qytetarëve. Të nderuar pjesëmarrës. Ju ftoj që të jeni aktivë për të vlerësuar e ruajtur në këtë nivel pavarësinë e këtij institucioni aset të shtetit shqiptar, duke qenë i sigurt se po i shërben dhe do t’i shërbejë ruajtjes së garancive të çdo qytetari”, tha Shehu.


AlbaniaWeb.net