Tue, Nov 26, 2024

“Mbi 1.3 milionë euro shpenzime në vitin 2023”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikon shifrat: Vetëvendosja, partia më e pasur shqiptare në Kosovë

  • PublishedMarch 15, 2024

Lëvizja Vetëvendosje sipas raportit financiar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ndër partitë shqiptare më të pasura në Kosovë

Ky subjekt politik ka pasuri afatgjate ku përfshihet toka, objektet, pajisjet, pasuritë  e paprekshme dhe pasuri të tjera në vlerë 121 mijë e 779 euro, sipas mediave kosovare.

Ndërkaq, vlera e pasurive afatshkurtër kap milionëshin, ku tek kjo kategori Vetëvendosja ka pasuri në vlerë 1.353.540.63 euro, ndërsa vlera e detyrimeve afatgjatë që ka kjo parti është zero. Ndërkaq detyrime afatshkurta ka në vlerë 27 mijë e 945 euro.

Në këtë raport janë paraqitur të dhëna edhe mbi hyrjet nga buxheti i Kosovës. Vetëvendosje vjet ka pasur mbi 2 milionë euro nga buxheti i Kosovës.

571 euro i pati nga anëtarësia, ndërkaq 22.366 nga donacionet dhe kontributet në të holla. Gjithsej në 2023 hyrjet e Vetëvendosjes shkuan në 2 milionë e 98 mijë e 592 euro.

Përveç hyrje, kjo parti pati edhe shpenzime. Për paga dhe kompensime VV-ja shpenzoi 767.435.60 euro.

Për shpenzimet e transportit u harxhuan 84.402.37 euro, ndërkaq për reklama dhe konferenca u shpenzuan rreth 139 mijë euro.

Gjithsej shpenzimet e VV-së në 2023 ishin 1 milionë e 381 mijë e 285 euro.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka publikuar sot raportet financiare të partive politike në Kosovë.

“Duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin sqarues: “Këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”. Pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorët e jashtëm, raportet e audituara do të publikohen në të njëjtën hapësirë në ueb faqen e KQZ-së. Të gjitha raportet e paaudituara financiare të partive politike për vitin 2023 janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së”, thuhet në njoftim.


AlbaniaWeb.net