DINAMIKA/ Futi foshnjën e porsalindur në qese plehrash dhe e hodhi në lumë, pas aktit të rëndë nëna shkoi në spital! Si e mësoi policia ngjarjen
Një ngjarje e rëndë ndodhi në Krujë këtë të hënë, ku një nënë 42-vjeçare hodhi në bregun e lumit të Tapizës foshnjën e saj të sapolindur.
Burimet e gazetares së AlbaniaWeb.net, Dorjana Bezat thonë se pas aktit të rëndë, 42-vjeçarja Leta Koçi shkoi në spital të merrte ndihmën e nevojshme mjekësore dhe aty ka treguar për ngjarjen.
Pas rrëfimit të saj, policia u informua për rastin e rëndë dhe shkoi në vendngjarje dhe gjeti trupin e foshnjës në qesen e plehrave.
Sipas policisë, rreth orëve të mëngjesit dyshohet se pasi ka lindur foshnjen në ambientet e banesës së saj, gruaja duke pretenduar se e ka lindur të vdekur, e ka futur trupin e foshnjës në qese dhe e ka hedhur në lumë.
Nuk dihet ende gjendja emocionale dhe mendore e gruas banuese në Tapizë dhe nëse ajo vuan nga probleme të shëndetit mendor.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaluan shtetasen Leta Koçi 42 vjeçe, banuese në Tapizë, për veprën penale “Vrasja e foshnjes”.
Kjo shtetase, ditën e sotme, rreth orëve të mëngjesit, dyshohet se pasi ka lindur foshnjen në ambientet e banesës së saj, duke pretenduar se ka lindur e vdekur, e ka futur në një qese dhe më pas e ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.
AlbaniaWeb.net