Sat, Nov 30, 2024

Robinson në Tiranë, mbështetje SPAK! Zyrtari i lartë amerikan do të takohet me kryeministrin Rama

  • PublishedMarch 18, 2024

Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit Todd D. Robinson ka mbërritur në Tiranë për një vizitë zyrtare këtë të hënë.

Sipas njoftimit të Depratamentit Amerikan të Shtetit, ai do të qëndrojë në kryeqytet deri më 20 mars. Gjatë qëndrimit dy ditor, Robinson do të takohet me kryeministrin Edi Rama, anëtarë të kabinetit të qeverisë por dhe përfaqësues të organeve të drejtësisë kundër trafikut të narkotikëve.

Gjatë këtyre takimeve, ndihmës sekretari i Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve pritet të njihet nga afër me sfidat e autoriteteve të drejtësisë por dhe për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve në këtë fushë. Vizita e Robinson, një diplomati karriere që në të kaluarën ka shërbyer në ambasadën e SHBA në Tiranë prej vitit 2004 deri në vitin 2006, e më pas në Venezuelë, Bolivi dhe Spanjë, është një mesazh domethënës nga SHBA se po mbështet punën e Shqipërisë për forcimin e sundimit të ligjit, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për ndërtimin e institucioneve të forta.

Zyrtari i lartë amerikan pritet që të ketë një takim dhe me drejtues të SPAK për t’u komunikuar atyre mbështetjen që të vijojnë në rrugën që kanë nisur si dhe të luftojnë korrupsionin në nivele të larta. Mesazh ky që është përcjellë shpesh nga SHBA që ka mbështetur vazhdimisht reformën në drejtësi që tashmë po tregon rezultate konkrete pasi shumë politikanë, ish ministra e kryebashkiakë janë vendosur nën akuzë.

Pas Tiranës, Robinson, sipas DASH, do të udhëtojë drejt Prishtinës ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani si dhe me partnerët në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.

 


AlbaniaWeb.net