Dinamo e “abonuar” me golin, ja nga se penalizohen më shumë blutë
Dinamo mori një shuplakë të fortë në derbin e së dielës me Tiranën, një ndeshje ku ishin të gjitha mundësitë minimalisht për të mos dalë pa pikë. Blutë pësuan dy gola, arritën të barazonin dhe kur u duk se përmbysja këtë herë do të ishte në krahun e tyre, u ndëshkuan sërish me golin e tretë.
Gjatë gjithë ndeshjes lojtarët e Dinamos humbën raste sistematikisht, sa për meritë të portierit Kozi të Tiranës, aq edhe për nxitim të sulmuesve të saj. Të katër sulmuesit e kësaj skuadre, Denison, Kaçorri, Zabërgja dhe Vila, ishin protagonistë të rasteve të shpërdoruara në atë 90-minutësh, ndërsa të dy golat mbajnë firmën e Klevi Qefalijës.
SHPËRDORIMI SI SËMUNDJE -Derbi me Tiranën në fakt nuk ishte ndeshja e parë që Dinamo shpërdoronte aq shumë raste për shënim. Blutë janë një nga skuadrat që e godasin portën kundërshtare me një ritëm të mirë, shënojnë thuajse në çdo ndeshje, por njëkohësisht edhe shpërdorojnë shumë. Kjo “sëmundje” e ka kapur skuadrën e drejtuar nga trajneri Dritan Mehmeti prej disa javësh. Si në derbi, kryeqytetasve u ka ndodhur edhe me Vllazninë, ku patën disa raste të pastra dhe u ndëshkuan nga një episod i vetëm. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndeshjet me Skënderbeun në Korçë dhe me Egnatian në Rrogozhinë. Në futboll është normale që të humbasësh raste, përderisa është një lojë gabimesh, por jo kaq sistematikisht dhe aq më tepër jo me kaq lehtësi sa blutë. Sulmuesve të Dinamos u duhet pak më shumë agresivitet kur sulmojnë portën kundërshtare, sepse ndonjëherë goli vjen edhe me “dhunë”. Në një moment kaq të rëndësishëm të sezonit, ku pikët janë “të arta”, kërkohet më shumë efikasitet nga një skuadër që aspiron të shkojë në “Final 4”.
EKUILIBRI I MUNGUAR –Ndeshja e fundit tregoi njëkohësisht edhe një mungesë ekuilibri të Dinamos në lojë, më saktë në fazën mbrojtëse të saj. Kundërshtari në rastet e dy golave të parë shkoi me shumë lehtësi në zonën e portierit Sali, por në këtë rast nuk është problem vetëm i mbrojtjes. Blutë vuajtën mungesën në të njëjtën ndeshje të të dy titullarëve të qendrës së mesfushës, Gudiabit dhe Andonit. Veçanërisht Gudiabi, i cili është një futbollist shumë i fortë fizikisht që thyen aksionet e kundërshtarit para se t’i drejtohet zonës. Dinamo ka nevojë për muskujt e afrikanit, por edhe për eksperiencën e Andonit. Kur këta dy lojtarë janë në formën e tyre më të mirë, e gjithë skuadra funksionon më mirë.
QEFALIJA -Por në derbin e humbur me Tiranën pati edhe ndonjë gjë pozitive për Dinamon. Skuadra reagoi mirë dhe rikuperoi 2 gola me Klevi Qefalijën. Ai është lojtari i fituar nga blutë, pa dyshim. Edhe pse gaboi duke shkaktuar një penallti, diçka që mund t’i ndodhë çdo lojtari, Qefalija shleu gjithçka me 2 golat që realizoi, që i dhanë skuadrës barazimin e përkohshëm. Afrimi i merkatos së dimrit tregoi se është një element i vlefshëm për Dinamon.