Wed, Nov 27, 2024

“A keni frikë?”, Anila Hoxha zbardh bisedën me prokurorin e SPAK: Janë betuar për atë që do të bëjnë…

  • PublishedMarch 20, 2024

Gazetarja e AlbaniaWeb.net, Anila Hoxha e ftuar në emisionin “Top Story” me Grida Dumën, ka rrëfyer një bisedë me një prej prokurorëve të SPAK të cilin e ka pyetur nëse ishte i frikësuar duke qenë se heton krerë të krimit të organizuar.

Hoxha tha se prokurori i ishte përgjigjur duke i marrë si shembull një bisedë që kishte pasur me një koleg gjerman të tij gjatë një trajnimi.

“Para pak ditësh po diskutoja me një prokuror të SPAK, bisedë informale që nuk po ia përmend emrin. Dhe e pyes a keni frikë se po hetojnë për njerëz që kanë krijuar të gjitha lidhjet e tyre me botën e krimit në Itali dhe Angli. Përgjigjia e tij ishte kështu, “në një trajnim që po bëja në Gjermani, të njëjtën pyetje ia bëra kolegut tim gjerman. Përgjigjia e tij ishte: Kur unë e mora përsipër këtë detyrë, e dija se shumë njerëz do më merrnin inat dhe arriti deri në atë pikë sa më mori inat vetë nëna ime. Sepse më kërkoi të favorizoja djalin e mikeshës së saj dhe më mori inat. Kjo ishte përgjigjia e prokurorit shqiptar duke më sjellë bisedën me prokurorin gjerman”– tha gazetarja.

Sa i takon lajmit për kërcënimin e një prej prokurorëve të SPAK, lajm që u mohua më pas nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, Anila Hoxha tha se nuk kishte raportuar më shumë se çfarë vetë Dumani kishte thënë për gazetarët në takimin pa kamera.

Ndërsa theksoi se personat që kanë kërcënuar një prej prokurorëve të SPAK, ndodhen në Dubai dhe se pavarësisht kërcënimeve prokurori vijon punën e tij normalisht me metoda të reja sigurie.


AlbaniaWeb.net