Wed, Nov 27, 2024

“Nëse e kërkon gjyqtari, në Britani dalin detaje për non-grata e Berishës”, Shkëlqim Hajdari: Altin Dumani ishte pjesë e Mbrojtjes në Apel për 21 Janarin

  • PublishedMarch 20, 2024

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari ishte këtë mesditë i ftuar në “Top Talk” në AlbaniaWeb.net.

Gjatë bisedës në studio, ai u ndal te hetimet për “21 Janarin” duke thënë se të gjithë kanë kërkuar një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje, teksa zbuloi për herë të parë se bashkë me kreun aktual të SPAK-ut, Altin Dumani, kanë qenë pjesë e mbrojtjes së akuzave për 21 Janarin në Apel.

Sipas Hajdarit, fakti që po hetohet nga një prokuror që ka pasur dijeni për këtë dosje, është sinjal i mirë.

“Të gjithë kërkojnë hetim plotësisht për 21 Janarin, që t’i vihet emri autorëve të vrasjeve. Nuk jap dot shumë detaje për dosjen e asaj çështje, aq më tepër që është rihapur tashmë. Por po tregoj dhe një sekret, zoti Dumani ka qenë bashkë me mua pjesë e mbrojtjes së akuzave për 21 Janarin në Apel, kështu që drejtuesi i tyre është një person që e njeh mirë dosjen”, tha ai.

I pyetur se ccfarë mund të ndodhë me gjyqin në Britaninë e Madhe të hapur nga ish-kryeministri Berisha pas shpalljes së tij non-grata dhe faktin që “Home Office” pritet të japë detaje të vendimmarrjes së britanikëve, Hajdari tha se “Unë ligjin britanik për këtë rast nuk e njoh, por ato punojnë me precedentë dhe gjyqtari në MB të bën gjëmën, të kërkon dokumente top sekret nëse i do gjyqtari, por kusht është që nuk i bën publike. Kam përshtypjen dhe me ato që u bënë publike sot, që do të ketë surpriza, që tani Britania do të jetë e detyruar që t’i publikojë”.

Një ditë më parë përfaqësues të gjyqësorit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK u takuan me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Tod Robinson. Duke lexuar mesazhet e kësaj vizite, Hajdari tha se “amerikanët janë sponsorizuesit kryesorë të reformës në drejtësi. Ata janë në të njëjtën rrugë parimore ku mbështetja më e madhe është te SPAK sepse ato kanë objekt hetimi hetimin e zyrtarëve të lartë për korrupsion dhe krimin e organizuar që janë dy grupe personash që e kanë kthyer Shqipërinë ku pandëshkueshmëria është ngritur në institucion. Amerikanët dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian nuk janë njerëz të skutave. Kur e kanë ndarë mendjen që rrezikohet demokracia, investimi i tyre, ata flasin shqip”.

Hajdari ka komentuar edhe tryezën që mblodhi sot bashkë Lulzim Bashën me Bamir Topin, Spartak Ngjelën dhe përfaqësues të tjerë të partive opozitare.

“Tryeza e parë sot, ishte aktiviteti më i rëndësishëm që ka ndodhur në vend pas 2008, takimi i Bashës. Sepse nuk ka qenë vetëm Lulzim Basha, Bamir Topi, Spartak Ngjela, Preç Zogaj, por përfaqësues të partive politike opozitare të gjithë spektrit, veç Partisë së Lirisë dhe Partisë Republikane. Ne kemi ngelur te historia e emrave. Këta nuk duan ta bëjnë Reformën Zgjedhore. Hapjen e listave e kemi obligim sepse është vendim kushtetues. Shpresojmë që kjo Reformë të futet në hullitë që ishte, gjithëpërfshirëse, duke mbajtur në këmbë komisionin bipartizan, duke zgjatur këtë Reformë dhe jo duke spostuar këtë komision”, deklaroi ai.


AlbaniaWeb.net