INTERVISTA/ “Broja i sigurt, Mitaj më kujton Haxhin”, analiza e Jupit: Manaj apo Daku, dilema e vetme! (VIDEO)
Shqipëria ka nisur përgatitjet për Euro 2024, teksa në program është testi i parë miqësor ndaj Kilit. Trajneri Sylvinho do të provojë lojtarë të ndryshëm, për të parë kështu gatishmërinë e tyre dhe formën, në mënyrë që tekniku t’i ketë idetë e qarta për Europianin. I mirënjohuri Redi Jupi, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, foli për individë të veçantë. Sipas tij, Broja duhet të bëjë gati valixhet për në Gjermani, pasi ftesa për të është e sigurt. Jupi vlerëson në maksimum edhe Mitaj, ndërsa dilema mbetet Muja apo Daku!
Redi, në këndvështrimin tënd, për çfarë do të na shërbejnë këto dy teste miqësore, për të konsoliduar idetë, grupin, apo për të provuar diçka ndryshe në funksion të “Euro2024”?
Na shërbejnë në shumë aspekte. Janë rivalë që janë në nivelin e skuadrave që janë në Europian. Nuk janë sfida të lehta. Na shërbejnë në aspektin taktik dhe teknik. Na shërbejnë në aspektin e konsolidimin e grupit. Ne duhet të shikojmë edhe të rinjtë, na duhet të shikojmë edhe ata që rikthehen.
A është ky momenti për të parë në aksion lojtarë si Broja apo Rey Manaj, dy lojtarë që Sylvinho nuk ka pasur gjatë kualifikueseve?
Grupi që pati Sylvinho në dispozicion në kualifikuese, kanë mundësi të mira për të shkuar në Europian. Ata kanë bërë mirë, asnjë prej tyre nuk ka zhgënjyer. Daku po më vjen më mendje, ishte një surprizë kur u thirr, pati spekulime. Gjithsesi, e fitoi statusin nga përformanca e tij. Broja është i sigurt për Europian, nuk është se ka dyshime. Manaj do shikohet e vlerësohet. Pra bëhet fjalë për rolin e sulmuesit, përfomanca e Dakut ishte e mjaftueshme për të lënë Manaj jashtë, apo Manaj ka cilësi për të bërë parakalimin në kthesën e fundit.
A mund t’ia trazojnë idetë Sylvinhos këto dy lojtarë, a është Shqipëria me e fortë me ta në sulm?
Nuk mendoj se mund të luajmë me të dy. Mos të harrojmë edhe Cikalleshin. Në mënyrën sesi luajmë ne, vetëm njëri prej tyre mund të luajë.
Ndërkohë mbetën jashtë dy lojtarë si Daku edhe Muja, a rrezikojnë këto lojtarë të mbeten edhe jashtë “Euro2024, flasim nga jashtë, thjesht një perceptim, pasi deri në maj mund të ndryshojnë sërish balancat…
Daku ka histori të veten, Muja ka histori të veten. Unë mendoj që Daku ishte surprizë, pastaj u justifikua. Lënia e tij jashtë normal që nuk kuptohet nga ai vetë. Mos presim ne dhe publiku që ai ta kuptojë, ai ka bërë punën. Çfarë i duhet atij sesa lojtarë do ftohen apo sesi do luhet? Ai pret që ta marrin. Mos-kuptimi i situatës nga Daku është legjitime. Unë jam në anën e lojtarit, pasi është tjetër gjë kur nuk ka bërë gjënë e duhur, është tjetër gjë nëse nuk ka luajtur mirë.
Muja ka qenë zëvendësues. Nuk është i paprekshëm nëse flasim për listën e Europianit.
I gjithë diskutimi bëhet për fazën ofensive, por një ditë më parë, TuttoSport hapi faqen e parë me imazhin e Mario Mitaj, interesohet Juventus..
Ky është një lojtar që më pëlqen shumë. Na u duk si surprizë, një 19 vjeçar që luan për herë të parë me kombëtaren. Më la impresion që me prekjen e parë të topit. Ne kemi patur Altin Haxhin në krahun e majtë, unë e vlerësoj shumë në hiearkinë e futbollit shqiptar. Mitaj ma kujton pak me mënyrën sesi luan. Më vjen mirë që një klub i madh interesohet për të. Shpresoj që të bëhet realitet kalimi i tij te Juventus.
Këtë periudhë kemi fituar lojtarë si Manaj, apo Asllani që ka marrë shumë peshë tek Inter, por lojtarë si Bajrami, Asani, Seferi e shumë të tjerë nuk kanë minuta, do kenë ndikim keto detaje te zgjedjet e Sylvinhos, për këto miqësore, apo dhe në vijim?
Situata është dinamike. Ne nuk mund të shpresonim apo të prisnim që të gjithë lojtarët të vijnë në gjendje optimale. Patjetër që do kishte situata të këtij lloji, fiton diku, humbet diku. Ka edhe teori konspirative që lojtarët shqiptarë nuk luajnë në Itali për “x” arsye. Unë nuk mendoj kështu. Minutat e munguara natyrisht që do të ndikojnë. Shpresoj shumë që të kemi aq lojtarë sa të mund të bëjmë zëvendësime, shpresoj që trajneri mos të bjerë në vështirësi për zgjedhjen.
Çfarë sfidë pret kundër Kilit?
Kili ka ngjashmëri me mënyrën sesi interpretojmë italianët futbollin. Shumë lojtarë nga Kili kanë luajtur në Itali. Ne e kemi humbur pak fokusin te Kili. Kili ka qenë skuadër e mirë, disa që kanë patur klas, nuk luajmë më. Mua më janë rritur shpresat që do mund të marrim rezultat pozitiv me Italinë.
(J.S/)