Vrasja e Gentian Bejtjas/ Gjykata lë në burg Ilir Beqarajn dhe Edison Haxhiun, avokati: Nuk kanë lidhje me ngjarjen, GPS i makinës…
Ilir Beqarajn dhe Edison Haxhiun, të arrestuar si të përfshirë në vrasjen e Gentian Bejtjas disa ditë më parë në Larushkë të Fushë Krujës janë lënë në burg nga gjykata e Tiranës.
Avokati i të akuzuarve tha se dy të arrestuarit nuk kanë lidhje me ngjarjen dhe se Prokuroria nuk e provon se automjeti i përdorur nga autorët është i njëjtë me atë në pronësi të Edison Haxhiut.
“Nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen. Është djali i xhaxhait të Ylli Brahimit, ai ka zgjedh të jetojë në një zonë rezidenciale për shkak se i janë bërë disa atentate, ky automjet nuk ka lëvizur në atë interval rruge, e tregon GPS. Provat e prokurorisë janë pamjet filmike të një automjeti i ngjashëm me atë në vendngjarje, por nëse është i njëjti nuk e provojnë dot. I kërkuam ekspertizë gjykatës dhe e pranoi”, tha avokati i të akuzuarve.
Kujtojmë se ata u arrestuan një ditë më parë në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja u vra më 15 mars në oborrin e shtëpisë përmes një atentati të mirëorganizuar në Larushkë të Fushë Krujës.
Bejtja u kishte shpëtuar tri atentateve, por i katërti ishte fatal për të. Teksa ndodhej në oborrin e banesës duke punuar në serrë, persona të maskuar e qëlluan me breshëri plumbash. Pas ngjarjes, u shoqëruan në polici disa persona me precedentë kriminalë në zonë.
Valter Bami, një prej personazheve të botës së krimit me të cilin viktima ka pasur konflikte të hapura, ishte njëri prej të shoqëruarve në polici. Bami ishte një prej të arrestuarve pas atentatit të 4 korrikut 2023 ndaj Bejtjas në Larushkë të Krujës, ku u plagosën djemtë e Gentian Bejtes, 10 dhe 13 vjeç dhe u vra kunati i tij Ramazan Sino. Atij iu gjet barut në duar dhe për pasojë u la në “arrest shtëpie”, masë që përfundoi në 18 janar të këtij viti.
Në vendngjarje u gjetën rreth 50 gëzhoja kallashnikovi që dyshohet të jenë qëlluar nga 2 armë të ndryshme, ndërsa makina “Land Rover” dhe targat e saj, rezultojnë të jenë vjedhur në Shkodër në gusht të 2023-it.
AlbaniaWeb.net