Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, s’ka marrëveshje për dinarin serb! Bislimi: Propozimet tona, nuk kanë asnjë pikë të përbashkët
Ka përfunduar në Bruksel takimi mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb Petar Petkoviç të cilët në ndërmjetësimin e BE-së diskutuan për çështjen e heqjes së dinarit serb.
Bislimi tha se mendon se duhet edhe një tjetër takim për çështjen e dinarit dhe se ende nuk është gjetur një pikë e afërt me Serbinë në propozimet e bëra për zgjidhjen e ngërçit në përparimin e dialogut.
“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.
Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, palët kanë diskutuar për dy propozime, por nuk preferoi të jepte detaje.
“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”– shtoi Bislimi.
AlbaniaWeb.net