Sun, Apr 20, 2025

VOA: Kosova shënon 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë

  • PublishedMarch 25, 2024

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ambasadorë të vendeve të NATO-s,0 bënë nderime te pllaka përkujtimore në qendër të Prishtinës, kushtuar ushtarëve të KFOR-it, që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë.

“Njëzet e katër marsi ishte vërtet ditë e shpresës së madhe sepse për herë të parë, aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocidal i (Sllobodan) Millosheviçit dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere, arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë”, tha presidentja Osmani.

Presidentja Osmani tha se Kosova shumë shpejt do të ulet në NATO përkrah miqve të cilët i qëndruan pranë në momentet më të vështira dhe “do ta kthej këtë borxh duke ndihmuar në vendet e tjera”.

Në Kosovë 24 marsi vlerësohet si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit, ndërsa zyrtarët e Beogradit e cilësojnë Serbinë si viktimë të, siç thuhet, agresionit të NATO-s.

Për 78 ditë sa zgjati fushata ajrore, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen perëndimore, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Ndonëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, tensionet ndërmjet tyre vazhdojnë të jenë të larta.

Pas tensioneve të vitit të kaluar, NATO-ja vendosi rreth një mijë trupa shtesë në Kosovë, ndërsa diplomacia perëndimore po vazhdon përpjekjet për të shtyrë palët të zbatojnë zotimet nga marrëveshja për normalizim, mes shqetësimeve mbi mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në Ballkanin Perëndimor.

Ish ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, tha për Zërin e Amerikës se edhe 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, puna e saj ende nuk ka përfunduar.

“Nga Beogradi vijnë vazhdimisht kërcënime madje edhe kërcënime të hapura me agresion siç kemi parë këto ditët e fundit, prandaj NATO-ja sërish ka detyrë për të kryer në Kosovë, duke qëndruar dhe duke zgjeruar dhe forcuar praninë e vet ushtarake”, tha ai.

Analisti amerikan, David Phillips tha për Zërin e Amerikës se prania e NATO-s në Kosovë mbetet thelbësore.

“Ne shohim Ukrainën dhe çfarë ndodh kur Shtetet e Bashkuara nuk janë të pranishme, kur NATO-ja nuk është e pranishme, kështu që KFOR-i duhet të mbajë operacionet e tij si një mjet efektiv dhe parandalues”, tha zoti Philips duke nënvizuar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç mbetet pengesë për paqen në rajon.

Në Kosovë roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. por javëve të fundit marrëdhëniet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përkeqësuar për shkak të mospajtimeve, pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive, por kanë theksuar përkushtimin ndaj pavarësisë dhe sigurisë së Kosovës.

Analisti amerikan, David Phillips thotë se këto marrëdhënie mund të jenë lënduar por nuk janë dëmtuar.

“Është një marrëdhënie e fortë. Shtetet e Bashkuara me Kosovën ndajnë interesin strategjik, vlerat e tyre të përbashkëta. Nëse e kujtojmë këtë dhe veprojmë sipas saj, atëherë Kosova do të jetë më e sigurt dhe do të promovohet interesi i SHBA-së”, tha ai.

Por ish ambasadori Avni Spahiu thotë se çfarëdo veprimi që dëmton marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk është diçka e dëshirueshme.

“Përkundrazi duhet të dëshmojmë se jemi partnerë të denjë me SHBA-të sepse partneritet do të thotë t’i bëjmë punët së bashku, prandaj çfarëdo devijimi nga kjo linjë nuk është diçka pozitive në këto raporte dhe shpresoj se përkundër një lloj ftohje në këto marrëdhënie do të tejkalohet ky moment dhe marrëdhëniet do të jenë në binarët e njejtë. Dhe po them se pa ndihmën e mbështetjen e Amerikës as më tutje nuk mund të bëjmë hapa serioz, pozitivë në forcimin e shtetit, ruajtjen e sigurisë në këtë pjesë”, tha ish ambasadori Spahiu.  /VOA