Mon, Nov 25, 2024

Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit për gjobën ndaj ish Presidentit Trump

  • PublishedMarch 26, 2024

Gjykata e apelit në Nju Jork vendosi të hënën të shtyjë ekzekutimin e vendimit të gjobës prej 454 milionë dollarësh ndaj ish-presidentit Donald Trump, nëse ai arrin të depozitojë një garanci prej 175 milionë dollarësh brenda 10 ditëve.

Nëse garancia depozitohet, kjo do të pezullojë procesin e ekzekutimit të vendimit dhe do t’ia ndalojë shtetit të Nju Jorkut sekuestrimin e pasurive të kandidatit të pritshëm për president të Partisë Republikane, ndërsa vazhdon procesi i apelimit. Gjykata e apelit vendosi gjithashtu të rrëzojë masën e dhënë nga gjykatësi i shkallës së parë që ua ndalonte për shtatë vjet zotit Trump dhe djemve të tij, Eric Trump dhe Donald Trump Jr., drejtimin e bizneseve në Nju Jork.

Vendimi i gjykatës së apelit është një fitore e rëndësishme për ish-presidentin, ndërsa ai mbron perandorinë e tij të pasurive të patundshme, që e ndihmoi të hyjë në jetën publike amerikane.

Masa e gjykatës së apelit u dha pak përpara afatit kur prokurorja e Nju Jorkut, Letitia James, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, pritej të fillonte procesin e ekzekutimit të vendimit të gjobës.

Ish presidenti Trump, i cili po ndiqte një tjetër seancë gjyqësore po në Nju Jork për një padi penale për pagesën e bërë për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, deklaroi se do ta respektojë vendimin e gjykatës së shkallës së dytë dhe se do të paraqesë me shpejtësi garancinë e kërkuar prej 175 milionë dollarësh, brenda afatit të caktuar.

Ish presidenti Trump kritikoi sërish vendimin e marrë nga gjykatësi Arthur Engoron për të cilin tha se e ka dëmtuar së tepërmi shtetin e Nju Jorkut, nga ku tashmë bizneset po largohen. Në komentet e tij, zoti Trump akuzoi qeverinë për përdorimin politik të Departamentit të Drejtësisë dhe i quajti qesharake të gjitha çështjet gjyqësore të hapura ndaj tij.

Zyra e prokurores James vuri në dukje megjithatë se vendimi vazhdon të jetë në fuqi, megjithëse është pezulluar përkohësisht ekzekutimi i tij.

“Donald Trump ende përballet me llogaridhënien për mashtrimin e tij flagrant. Gjykata tashmë e ka dënuar atë për mashtrime të bëra ndër vite për të fryrë artificialisht vlerën e pronave të tij dhe për t’u pasuruar padrejtësisht ai vetë, familja e tij dhe organizata e tij”, thuhet në deklaratën e zyrës së prokurores.

Avokatët e zotit Trump kishin kërkuar që gjykata e apelit ta pezullonte gjobën, duke thënë se “ishte praktikisht e pamundur” të gjendej një kompani garantuese për një shumë kaq të madhe, e cila rritet më tej me çdo ditë që kalon, për shkak të interesave. Avokatët e zotit Trump kishin propozuar edhe më parë një garanci më të vogël, prej 100 milionë dollarësh, që u refuzua nga një gjykatës i apelit.

Në gjykatën e nivelit të dytë, ish presidenti po kërkon anulimin e vendimit të 16 shkurtit që e shpalli atë fajtor nën akuzat për mashtrime lidhur me pasuritë e tij, çka i krijoi atij mundësi të zgjeronte më tej perandorinë e pronave të patundshme, që e ndihmuan të fitonte famë dhe presidencën e Shteteve të Bashkuara.

Pasi dhënies së vendimit, ligji parashikon një periudhë pauze gjatë së cilës nuk mund të ekzekutohet vendimi deri në momentin e shqyrtimit në apel. Kjo periudhë pauze skadoi të hënën.

Prokurorja James i pati thënë kanalit televiziv ABC News muajin e kaluar se nëse ish presidenti Trump nuk do të paguante dot gjobën, atëherë ajo do të fillonte sekuestrimin e pasurive të tij.

Avokatët e zotit Trump kishin kërkuar që gjykata e apelit ta pezullonte gjobën, duke thënë se “ishte praktikisht e pamundur” të gjendej një kompani garantuese për një shumë kaq të madhe, e cila rritet më tej me çdo ditë që kalon, për shkak të interesave. Avokatët e zotit Trump kishin propozuar edhe më parë një garanci më të vogël, prej 100 milionë dollarësh, që u refuzua nga një gjykatës i apelit.

Në gjykatën e nivelit të dytë, ish presidenti po kërkon anulimin e vendimit të 16 shkurtit që e shpalli atë fajtor nën akuzat për mashtrime lidhur me pasuritë e tij, çka i krijoi atij mundësi të zgjeronte më tej perandorinë e pronave të patundshme, që e ndihmuan të fitonte famë dhe presidencën e Shteteve të Bashkuara.

Pasi dhënies së vendimit, ligji parashikon një periudhë pauze gjatë së cilës nuk mund të ekzekutohet vendimi deri në momentin e shqyrtimit në apel. Kjo periudhë pauze skadoi të hënën.

Prokurorja James i pati thënë kanalit televiziv ABC News muajin e kaluar se nëse ish presidenti Trump nuk do të paguante dot gjobën, atëherë ajo do të fillonte sekuestrimin e pasurive të tij. /VOA


AlbaniaWeb.net