Gazetarët protestojnë kundër Ramës për tkurrjen e lirisë së shprehjes
Një pjesë e gazetarëve protestuan të mërkurën në Tiranë duke vënë në dukje tkurrjen dramatike të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim në Shqipëri ndërsa në mënyrë domethënëse, protesta e tyre kaloi e paraportuar nga pjesa dërrmuese e medias tradicionale, e cila është e tkurrur aktualisht në pak televizione dhe pothuajse aspak gazeta.
Gazetarja Aurora Velaj theksoi në fjalën e saj historikun e gjatë antimedia dhe antiliri të kryeministrit Rama, duke renditur nismat e shumta ligjore që synuan të shtypin lirinë e shprehjes si dhe praktikat kontroverse të përqendrimit të komunikimit qeveritar në një zyrë të vetme, të njohur si Agjencia për Media dhe Informim apo praktikën e shumëkritikuar të përgatitjes nga zyrat e shtypit të materialeve propagandistike të gatshme, të cilat më pas transmetohen si “lajme të pavarura” nga televizionet.
Sipas Velajt, gazetarët, në mënyrë që të informojnë qytetarët sipas standardeve minimale të raportimit korrekt dhe cilësor të ngjarjeve, duhet fillimisht të kapërcejnë cenzurën dhe presionin që ushtrohet brenda redaksive për të mos shkelur interesat e qeverisë dhe pastaj duhet të përballen me dyert e mbyllura të institucioneve, të cilat nuk lejohet t’i përgjigjen pyetjeve përveçse me autorizim nga Agjencia për Media dhe Informim.
Gazetarja Ola Xama, e cila së fundmi është përballur me një fushatë shpifjeje nga media proqeveritare, tregoi se si në punën e përditshme të gazetarëve, praktika e zakonshme e marrjes së opinionit të një pale në një lajm, pasohet, në rastet kur pala qëllon të jetë një zyrtar qeverie, me një telefonatë të dytë nga pronari i medias që urdhëron vrasjen e lajmit. Xama ironikisht i sugjeroi kryeministrit që, në kuadër të nismave të tij ligjore, të hartojë një ligj përmes të cilit, temat e lajmeve, apo të emisioneve të debateve, të përcaktohen nga Agjencia për Media dhe Informim në mënyrë që gazetarët të mos lodhen më duke u marrë me lajme që cenzurohen nga mediat që kanë interesa të ngushta ekonomike me qeverinë.
Protesta mori shkas nga prekja me dorë që kryeministri Edi Rama i bëri gazetares Ambrozia Meta, ndërsa kjo e fundit po i bënte pyetje mbi aferën e dhëndrit të ish-presidentit Donald Trump me projektin për ndërtime në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, një aferë që sipas the Neë York Times, ngjan si një pazar korruptiv në të cilin, diplomacia amerikane mund të shkëmbehet me parcela tokash publike apo me të mira të tjera materiale të paguara nga taksapaguesit nëpër vende si Shqipëria apo Serbia, në rast se Trump rizgjidhet president në zgjedhjet amerikane nëntorin e ardhshëm.
Rama pretendoi se prekja e tij me duar e gazetares ishte një veprim miqësor pa kurrfarë dashakeqësie. Shumica dërrmuese e aktivistëve të lirisë së medias, në Shqipëri apo nëpër botë, e panë veprimin në fakt si një dhunë me bazë gjinore, në të cilën, detyrimi për t’iu përgjigjur pyetjeve konkrete dhe serioze me interes të lartë publik, zëvendësohet me prekje me duar të gazetares që bën pyetjet.
Qeveria shqiptare duket se kontrollon, në mënyrën më të imtë të imagjinueshme, shumicën dërrmuese të qarkullimit normal të informacionit në një shoqëri demokratike, duke filluar nga kontrolli i aksesit te dokumentet zyrtare dhe duke vijuar me përgatitjen e “lajmeve” propagandistike apo me përdorimin e trysnisë ekonomike mbi pronarët e medias, të cilët kanë interesa jetësore me prokurimet publike apo janë shpallur “investitorë strategjikë”, një status i dhënë nga Rama dhe që sjell shpesh tokë falas, përjashtime nga taksat dhe shërbime publike të subvencionuara nga taksapaguesit, të tilla si linja ujësjellësi, infrastrukturë për energji elektrike, rrugë apo kanalizime, shërbime të cilat, për taksapaguesit që i subvencionojnë, shpesh mungojnë apo janë të një cilësie të keqe.
Një gazetar që foli në kushtet e anonimatit shpjegoi mënyrën se si media funksionon në kohën e qeverisjes së Ramës, duke cituar pronarin e televizionit i cili tentoi t’ia vinte në dukje gazetarëve rëndësinë kritike që ka ndjekja e linjës së qeverisë me fjalët: “një tender i dhënë nga Rama mjafton për të paguar rrogat tuaja për një vit të tërë.”