“Këmbana alarmi”: 1 në 6 fëmijë viktimë e ngacmimeve në internet
Një raport i publikuar së fundmi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), zbulon se rreth 16% e fëmijëve nga mosha 11 deri në 15 vjeç kanë qenë viktima të ngacmimeve në internet në vitin 2022.
Sondazhi u bë me 279,000 fëmijë dhe adoleshentë nga 44 vende dhe rajone në Evropë, Azinë Qendrore dhe Kanada. Në shumicën e zonave, bulizmi kibernetik arrin kulmin në moshën 11 vjeç për djemtë dhe 13 vjeç për vajzat.
Nivelet më të larta të ngacmimeve u regjistruan në Bullgari, Lituani, Poloni dhe Moldavi, ndërsa më të ulëtat në Spanjë. Kaq bëri me dije OBSH, pa shtuar detaje të tjera.
“Me të rinjtë që shpenzojnë deri në gjashtë orë në ditë në internet, edhe ndryshimet më të vogla në shkallën e ngacmimit dhe dhunës mund të ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e mijëra njerëzve,” tha drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Shkalla e ngacmimit fizik mbetet e qëndrueshme: 11% e fëmijëve thanë se ishin ngacmuar në shkollë vitin e kaluar, nga 10% që pohuan të njëjtin fakt 4 vite më parë.
“Pandemia ka ndryshuar mënyrën se si ndërveprojnë adoleshentët,”- tha
OBSH, duke shpjeguar se format dixhitale të dhunës morën hov pas pandemisë së koronavirusit, kur bota e të rinjve u bë gjithnjë e më dixhitale. Duke iu referuar të njëjtit raport 15% e djemve dhe 16% e vajzave thanë se ishin ngacmuar në internet të paktën një herë në muajt e fundit.
Rezultatet e këtij anketimi, sipas OBSH do të shërbejnë si një thirrje zgjimi për atë që po ndodh në botë.