Tue, Nov 26, 2024

Komision për dezinformimin, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, kërkesë kryetares së Kuvendit

  • PublishedMarch 28, 2024

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do t’i paraqesë një kërkesë Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë për krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar “për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri”.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, përmes një postimi në “X”, shprehet se “Komisioni i Posaçëm do të zbatojë një qasje holistike dhe afatgjatë për adresimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike, që mund të përfshijnë fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet për dezinformim, shantazhimin ekonomik të aktorëve publikë dhe manipulimin e shoqërisë civile”.

“Duke u bazuar në angazhimet e Shqipërisë që rrjedhin nga: Memorandumi i Mirëkuptimit i datës 15 shkurt 2024 ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së për të adresuar manipulimin e informacionit nga aktorët e shteteve të huaja; Deklarata e Tiranës e 28 shkurtit 2024 e Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore; dhe rekomandimet e BE-së për “vazhdimin e përpjekjeve për mbylljen e hapësirës për ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit”.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, ka rishpërndarë postimin e Çuçit, duke theksuar se “Shumë e rëndësishme për të ecur përpara me shpejtësi të plotë”.


AlbaniaWeb.net