Mon, Nov 25, 2024

Tre të rinj në qendër të vëmendjes së markatos në dalje tek Tirana, klubi bardheblu tenton ti shes që të marrë të ardhura

  • PublishedMarch 28, 2024

Tirana në fund të sezonit mund të ketë një tjetër “eksod” lojtarësh. Janë tre futbollistët në qendër të merkatos, që mund të shiten dhe të sjellin të ardhura. Bëhet fjalë për dy portierët Leon Kozi dhe Mustafë Abdullahu si dhe mesfushorin Jordi Jaku.

Lojtarët kanë oferta nga skuadra të tjera. Kështu, për Jakun prej kohës presidenti Refik Halili ka deklaruar se ka një ofertë prej 200 mijë eurosh, por klubi mendon që ta zhvillojë futbollistin. Edhe për Musftafë Abdullahun është folur për një ofertë, por që Tirana kërkon një shumë të caktuar parash. Gardiani u ble te Besa për 50 mijë euro. Paraqitjet e Leon Kozit në portën e Tiranës e kanë vënë në qendër të vëmendjes së merkatos. Janë disa ekipe të interesuara për portierin që tani është titullar. Mesa është marrë vesh, të tre mund të jenë drejt shitjes, por gjithçka do të varet nga çfarë do të vendosë klubi bardheblu, i cili ka një dysheme për shitjen e lojtarëve dhe planin për sezonin e ri.

SHIFRAT – Abdullahu ka luajtur 12 takime në 1080 minuta, ndërkohë që vlera është 300 mijë euro. Kozi ka qenë në fushë 18 takime dhe 1650 minuta. Nga ana tjetër, Jaku ka luajtur më pak. Ka qenë në fushë 5 ndeshje dhe 146 minuta në fushë.

LARGIMET – Gjashtë lojtarë i janë larguar Tiranës në janar. Florent Hasani, Hila dhe Kaina së bashku kishin shënuar 16 gola, ose rreth gjysmën e golave të realizuar në dy fazat e para të kampionatit. Pak a shumë Tirana ka ndryshuar të gjithë repartin ofensiv. Dy të ikurit e parë nga bardheblutë ishin Hasani dhe Hila. Rapidi i Bukureshtit zyrtarizoi në fund të 2023-it blerjen e sulmuesit të Tiranës, Florent Hasani. Klubi Tirana përfitoi nga ky transferim 300 mijë euro neto. Gjithashtu, bardheblutë kanë mbajtur edhe 10% të kartonit në rast shitjeje të lojtarit që iku në janar nga Shqipëria. U largua nga skuadra edhe Ardit Hila, por falas. Për Kainën, Tirana kanë marrë 78 mijë euro. Doka solli 100 mijë euro, ndërsa Qefalija 50 mijë euro. Ballhysa ishte lojtari i fundit që u dha lamtumirën bardhebluve.

AlbaniaWeb.net