Pas zyrtarëve të SPAK, thirren krerët e rinj të institucioneve të drejtësisë në SHBA, zbardhen diskutimet
Pas zyrtarëve të SPAK, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë janë thirrur në një vizitë dyditore zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në kuadër të një vizite të përbashkët zyrtare, (27-29 mars 2024), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrin pjesë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Ilir Panda, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska dhe Genti Ibrahimi, si dhe Vilma Premti, drejtore e Kabinetit të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese.
Këta të fundit kanë zhvilluar takime zyrtare me përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë në Ëashington D.C., në të cilat ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati.
Delegacioni shqiptar pati takime me Zëvendësndihmësin e Prokurorit të Përgjithshëm, Bruce Sëartz dhe Zëvendësndihmësen Kryesore të Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Yuri Kim.
Në fokus të takimeve ishte ecuria e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe rëndësia që mbart realizimi me sukses i saj për krijimin e një sistemi gjyqësor eficient dhe të pavarur, me qëllim rritjen e besimit të publikut në dhënien e drejtësisë, si dhe ecjen përpara në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimeve, Kryetarja Zaçaj, pasi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ndal edhe te sfidat me të cilat është përballur Gjykata Kushtetuese që pas rikompozimit të plotë të saj dhe rezultatet pozitive që janë shënuar jo vetëm në drejtim të përmirësimit të cilësisë së vendimmarrjes, rritjes së efikasitetit dhe transparencës, por edhe në promovimin dhe njohjen e kësaj Gjykate në arenën ndërkombëtare.
Zyrtarët e lartë të Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e ofruar nga shteti amerikan për implementimin me suksese të reformës në drejtësi dhe rritjen e besueshmërisë te gjyqësori shqiptar.
AlbaniaWeb.net