Wed, Nov 27, 2024

EMRAT/ U kapën me një sasi të madhe sendesh me vlerë të vjedhura, Gjykata merr vendimin për të arrestuarit në Durrës

  • PublishedApril 5, 2024

Gjykata e Durrësit la në qeli dy prej të arrestuarve të operacionit “Aksesorët”, ndërsa la të lirë njërin prej tyre. 

Gazetarja Juli Kërçyku bën me dije për AlbaniaWeb.net se pronari dhe pasagjeri i fugonit ku u gjetën një sasi sendesh me vlerë që dyshohet të jenë vjedhur në vendet e BE-së dhe tentuan të futen në vend nga porti i Durrësit.

Për shoferin e mjetit u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Me t’u dhënë vendimi ai është lënë i lirë dhe do të qëndrojë në banesën e tij në Bajram Curri deri në përfundim të hetimeve.

Gjykata e vleftësoi të ligjshëm arrestimin e tre personave në fillim të muajit prill në portin e Durrësit nga policia kufitare dhe caktoi masën shtrënguese “arrest në burg” për Behar Rexhën, 35 vjeç, pronar i automjetit dhe Mateos Ramën, 31 vjeç, pasagjer në këtë mjet.

Masë më e butë u dha nga gjyqtari i seancës për Eduart Selimin, 40 vjeç. Të tre të dyshuarit akuzohen nga prokuroria e Durrësit si persona të dyshuar për veprat penale të “Mosdeklarimit në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë” në bashkëpunim dhe të “Pastrimit te produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale“.

Arrestimi i tyre u bë si rezultat i kontrolleve të imtësishme nga shërbimet e Policisë Kufitare në port dhe u deklarua si goditje e tentativës për të futur në Shqipëri, sende me vlerë të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale. Për hetimet është angazhuar dhe njësia “Antiskifter” për të zbuluar origjinën e sendeve të sekuestruara të cilat konsistojnë në 18 ora dore të markave të shtrenjta, bizhuteri të ndryshme floriri dhe argjendi, 25 monedha të prerjes 2 euro, një bllokues valësh, 6 celularë dhe automjeti ku u gjetën.

Policia deklaroi se pronari i këtij fugoni tip Benz është shtetas me precedent të theksuar kriminal.

Sendet me vlerë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me furgonin ku u gjetën dhe 3 pasaporta, ndërkohë vijojnë hetimet në bashkëpunim me Njësinë Antiskifter dhe homologët në vendet e BE-së, për përcaktimin e origjinës së sendeve me vlerë dhe për dokumentimin e veprimtarive kriminale të të dyshuarve.


AlbaniaWeb.net