Inzagi i lë “targën” Murinjos , trajneri aktual më mirë sesa të gjithë tek Interi
Simone Inzagi vazhdon të thyejë rekorde në aspektin personal në drejtimin e Interit. Asnjë nga trajnerët e tjerë të mëdhenj nuk ka mesatare pikësh sa trajneri aktual. Kundër Empolit arriti 100 fitore, ashtu si Herrera, Mançini dhe Trapatoni (në 150 ndeshje në total). Në 150 ndeshjet e para si trajner i Interit, Simone Inzagi ka arritur të grumbullojë 2.17 pikë për ndeshje duke lënë pas 2 trajnerët e tjerë Mançini dhe Murinjo, të cilët në aventurën e tyre në stolin zikaltër kanë arritur 2.12 pikë për ndeshje.
Në vendin e katërt renditet Konte dhe në pesëshen e parë është Helenio Herrera. Ka ende shumë rekorde që mund të thyhen nga Interi në rrugën drejt titullit kampion. Në linjë teorike. Interi mund të thyejë rekordin e pikëve të Juventusit të Kontes (102 në 2013- 2014), por duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Objektivi fillestar është ai i 97 pikëve të Mançinit në sezonin 2006- 2007. Por ka një tjetër objektiv përpara. Zikaltrit janë ende në garë për të pasur diferencën e golave më të thellë në histori. Rekordi është (+73 gola), ndërsa aktualisht skuadra ka bilancin +57 mes golave të shënuar dhe të pësuar. Kërkohen më shumë fitore në transfertë. Rekordi është 16 dhe skuadra aktuale ka 12. Për golat e pësuar rekordi ka qenë 20, Interi i këtij sezoni ka 14 gola të pësuar. Ndeshjet pa pësuar gol në këtë sezon janë 18 nga dyshja Zomer-Audero dhe ecuria në e mirë është 21. Por synimi fillestar është që Interi të hapë shampanjën e titullit të 20-të të historisë që përkon me yllin e dytë në fanellë, të cilat janë prej kohësh në “frigorifer”.
MERITË E INZAGIT – Kjo ecuri sigurisht që është meritë e trajnerit Simone Inzagi, i cili në fundin e këtij viti do të ketë edhe 1 vit kontratë me Interin. Mirëpo palët duket se duan të vazhdojnë bashkëpunimin dhe firmat e rinovimeve (jo vetëm i tiji) do të vijnë pas festës për titullin kampion. Trajneri ka arritur që të marrë maksimumin nga një grup lojtarësh të shkëlqyer, pavarësisht se ëndrra e madhe ishte rrugëtimi deri në fundin e këtij Champions-i. Ky objektiv u ndal në mes pas eliminimit nga Atletiko e Madridit me përmbysje. Një njollë negative për sezonin aktual të Interit, por që u kalua shpejt dhe tani duhet patjetër që të fitojë kampionatin. Për këtë të fundit ka nisur numërimi mbrapsht.