Thu, Nov 28, 2024

Sulme me dron nga Rusia, tetë të vrarë nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

  • PublishedApril 5, 2024

Rusia i sulmoi me dronë disa rajone të Ukrainës më 4 prill, duke i vrarë tetë njerëz përfshirë katër në rajonin e Harkivit, ku u goditën dy ndërtesa banimi nga një sulm i dyfishtë, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti të “neveritshëm”.

Tre nga katër njerëzit e vrarë në Harkiv ishin punëtorë të ekipeve të shpëtimit, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes pas sulmit të parë dhe u goditën nga sulmi i dytë, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synyehuvov. Së paku 12 njerëz u plagosën, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, tha ai.

“Sulmi cinik dhe i neveritshëm, kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendin e ngjarjes, terroristët sulmuan përsëri”, tha Zelensky në X.

Yevhen Vasylenko, zëdhënës i Shërbimit Emergjent Shtetëror, tha për Radion Evropa e Lirë se ekipet e shpëtimit po tentonin t’i shpëtonin njerëzit e ngecur në një ndërtesë më të vogël në afërsi, kur armiku goditi përsëri me dronë.

Ai shtoi se ekipet e shpëtimit ia dolën ta shpëtojnë një civil të ngecur nën gërmadha.

“Zakonisht, punëtorët e ekipeve të shpëtimit strehohen nëse ka kërcënim për sulm të dytë, por sot, një person kishte ngecur nën rrënoja dhe i nevojitej ndihma, prandaj ishte e domosdoshme të veprohej menjëherë”, tha Vasylenko.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se 20 dronë e sulmuan vendin gjatë natës mes 3 dhe 4 prillit dhe se 11 prej tyre u penguan nga forcat kundërajrore. Në rajonin lindor të Donjeckut u vranë dy persona nga të shtënat ruse të artilerisë – një çift i martuar në të 50-at, tha zyra e prokurorit rajonal. /REL


AlbaniaWeb.net