Futsall/ Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore me Rumaninë në muajin prill
Në muajin prill, Kombëtarja shqiptare e Futsallit do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Rumanisë.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se është arritur një marrëveshje me Federatën e Rumanisë që këto ndeshje të luhen në datat 13 dhe 14 prill, në ora 18:00 në Bukuresht.
Kuqezinjtë do të grumbullohen në Rumani më datë 12 prill, ku do të përgatiten dhe do të zhvillojnë takimet miqësore. Për skuadrën e drejtuar nga trajneri Erind Resuli këto teste miqësore shërbejnë edhe si një provë gjenerale para kualifikueseve të Kampionatit Europian të Futsallës, pasi Rumani është një nga ekipet më të forta në Europë.
Kombëtarja shqiptare e Futsallit do të njohë në fundin e muajit maj kundërshtarët që do të ketë përballë në kualifikueset e kampionatit Europian. Duelet kualifikuese do të nisin në muajin dhjetor.
Ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme pasi i japin mundësi trajnerit të Kombëtares së Futsallit, Erind Resuli dhe stafit teknik, që të shohin nga afër gjendjen e lojtarëve dhe të provojnë futbollistë të rinj, që mund të jenë të vlefshëm për Kombëtaren në kompeticionet e ardhshme zyrtare.