Pas Dumanit edhe Prokurori i Përgjithshëm ngre problemin: Nënpunësit publikë nuk denoncojnë korrupsionin, më pak kallëzime se në 2022-in
Pas kreut të SPAK, Altin Dumani i cili gjatë raportimit të bilancit vjetor të Prokurorisë së Posaçme bëri me dije se kanë rënë kallëzimet nga nënpunësit publikë për veprat penale korruptive, të njëjtën gjë e ka raportuar edhe prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.
Në raportin vjetor që Prokuroria e Përgjithshme ka çuar në Kuvend, vihet në dukje që krahasuar me vitin 2022, në vitin 2023 ka një ulje prej 36% të denoncimeve që vijnë nga nënpunësit publikë për vepra penale korruptive.
“Kallëzime nga nëpunësit publikë: në vitin 2023 rezulton të kenë ardhur në prokurori 650 kallëzime, që përbën ulje prej 36,95 % krahasuar me vitin 2022, në vitin 2022 rezulton të kenë ardhur në prokurori 1031 kallëzime, që përbën rritje prej 27,28 % krahasuar me vitin 2021, në vitin 2021 rezulton të kenë ardhur në prokurori 810 kallëzime, që përbën ulje prej 3,57 % krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që në vitin 2020 rezulton të kenë ardhur në prokurori 840 kallëzime, që përbën ulje prej 41,59 % krahasuar me vitin 2019”– thuhet në raportin që AlbaniaWeb.net ka siguruar.
AlbaniaWeb.net