Vdekja tragjike e gazetarit, vëllai dhe miku i Zamir Dules tregojnë dhunën që përjetoi nga SHIK dhe vuajtjet e jetës: I përplasnin kokën në mur, gjaku i tij…
Gazetari i kronikës Zamir Dule u ndërroi jetë në moshën 55 vjeçare, pas një kalvari të gjatë vuajtjesh dhe problemesh shëndetësore.
Ai do të mbahet mend si një gazetar ikonik që u trajtua në mënyrë çnjerëzore dhe u sakatua marsin e vitit 1997 për ta bërë që të heshtë, por që u martirizua për fjalën e lirë.
Vëllai i tij rrëfen dhunën barbare që ai përjetoi, edhe pse thotë se nuk tregonte shumë.
“Më shumë na vjen keq për hallet që ka hequr. Ai e di se çfarë hiqte, çfarë torturash. Ky flinte te gazeta, e kanë marrë e kanë çuar te Mali me Gropa, ishte dhe me një shok tjetër, këtë e kishin rrahur më shumë… Kur i binin me grushte, i binte koka për mur, dhe u bë e gjitha gjak. Kaq mbaj mend tha, u mbush dhoma me një tym të bardhë… nuk e dinte çfarë ishte, ilaç për të humbur memorien ndoshta… tre ditë pastaj nuk ndjeva gjë tha. Nuk tregonte më asgjë. Ditën e parë më tha. Frika e tij vazhdonte, unë e di kush ma bëri, SHIK thoshte gjithmonë. Një kohë fillonte dhe shkruante. I pashë fletët që i ka vënë aty”, tregon vëllai.
Ndërkohë miku i tij e përshkruan si një gazetar kritik dhe të vërtetë që kishte ende shumë për t’i dhënë këtij profesioni, por jeta iu ndërpre në mes.
“Kam pasur fatin të jem shok fëmijërie, shok shkolle… dëshira e tij ishte të shkruante një roman autobiografik që nuk mundi dot ta përfundojë. Ishte me kulturë të gjerë, i dhënë pas librave. Pena e Zamirit shkruante sa në mënyrë poetike po aq edhe kritike. Prekte të vërtetën dhe të bënte për vete. Më tepër vëmendje duhet për njerëz si Zamiri. I thoja Zamir kujdes, ai më thoshte kjo është rruga, e vërteta ime. Fliste gjithmonë me një ambicie për gazetarinë. Shpeshherë dilte shëtitje, tërhiqte shumë libra…”, shprehet ai.
AlbaniaWeb.net