Drejtori i IT-së së Policisë së Shtetit nën akuzë për kopjimin e paligjshëm të bazës së të dhënave të TIMS
Prokuroria e Tiranës njoftoi të martën më 9 prill marrjen në hetim të Drejtorit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”, pasi akuzohet se ka eksportuar bazën e të dhënave TIMS të Policisë së Shtetit, një vit më parë. Po ashtu, prokuroria ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Në njoftim sqarohet se hetimi ndaj Muçës ka filluar bazuar në referimin e kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në vitin 2023, lidhur me kopjimin e paligjshëm të të dhënave të sistemit TIMS.
“[…]Nga hetimi i procedimit penal rezulton se, në datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, E.M. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”, citohet në njoftim
Në vijim bëhet e ditur se hetimi është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse. Po ashtu, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmërisë së Muçës në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin, prej nga janë gjetur disa probleme.
Nga verifikimet ka rezultuar se Muça në vitin 2007 është raportuar si përgjegjës për veprat penale të “dokumenteve false kryer nga persona privatë” dhe “përdorimin e një akti të rremë”. Në shtator të vitit 2008 atij i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.
Nga hetimi ka rezultuar se Muça është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e shtetit. Sipas prokurorisë, ligji për Policinë e Shtetit ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies, ndërkohë që Muça nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin që mbante.