Vendi i 2-të është në “këmbët” e Vllaznisë, gjithçka varet vetëm nga shkodranët deri në fund të kampionatit
Ndeshja me Partizanin ishte tejet e rëndësishme për kuqeblutë për vetë faktin se luhej vendi i 2-të mes dy rivalëve direkt.
Në këtë situatë, barazimi është përjetuar mjaft mirë në kampin shkodran, sepse diferenca mbeti e njëjtë, me kuqeblutë përpara 3 pikë. E pranoi pas ndeshjes edhe trajneri Osmani se barazimi vlen shumë për Vllazninë. Tashmë vendi i dytë është në këmbët e shkodranëve, mjafton që ata të bëjnë detyrën e tyre në ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit. Dueli në kryeqytet prodhoi pak lojë efektive, por Vllaznia i kishte dy raste ideale për të shënuar, me Alivodën në pjesën e parë, me atë penallti në lëvizje, dhe me Çobën në pjesën e dytë.
Rasti i dytë ishte edhe më flagrant, por Çoba që mund t’i dhuronte Vllaznisë 3 pikë të çmuara sapo u fut në fushë, gaboi nga shumë afër. Edhe pse loja nuk ishte më e mira për kuqeblutë, barazimi është një objektiv i arritur për ta. Vendi i dytë është në këmbët e lojtarëve të Vllaznisë, nuk varet nga rezultatet e të tjerëve. Kjo është ajo që i qetëson të gjithë në Shkodër. Nuk do të jenë ndeshje të lehta në fakt, sepse gara për 4-shen e parë dhe mbijetesën është bërë shumë e fortë.
Nga 6 ndeshjet e mbetura nga ky kampionat, kuqeblutë do të luajnë 3 herë në shtëpi, ku do të presin Laçin, Dinamon dhe Skënderbeun në fund. Janë edhe 3 ndeshje në transfertë dhe konkretisht ato në Durrës me Teutën, në Rrogozhinë me Egnatian dhe në Tiranë kundër bardheblutë.
AGJËRIMI – Te Vllaznia ka disa ndeshje që po mungon fitorja. Ajo u mund nga Kukësi në kampionat dhe Egnatia në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, si dhe barazoi kundër Erzenit në shtëpi dhe Partizanit në kryeqytet. Të gjitha këto ndeshje janë luajtur në muajin e Ramazanit, që mbyllet sot.
Disa prej lojtarëve kuqeblu agjëruan përgjatë këtyre ditëve, por ata dhe ekipi kanë “agjëruar” edhe në fushë, duke mos marrë asnjë fitore. Pas atyre 12 takimeve me rezultate pozitive, Vllaznia u mund 2 herë dhe barazoi po kaq herë. Megjithatë, barazimi kundër Partizanit është përjetuar krejt ndryshe nga ai ndaj Erzenit në Shkodër, që u duk si një humbje. Me humor disa lojtarë të Vllaznisë e quajtën barazimin në “Air Albania” si fundin e “agjërimit”. Tani mbetet të shihet, nëse ka përfunduar vërtet “agjërimi” për Vllazninë apo jo, këtë do ta tregojë ndeshja me Laçin në fundjavë.