Thu, Nov 28, 2024

Marrëveshja “Interbus”, Balluku në Kuvend: Rritja dhe forcimi i sektorit të turizmit, objektiv strategjik i qeverisë

  • PublishedApril 11, 2024

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku gjatë fjalës së saj në Kuvend bëri thirrje që deputetët të votojnë pro projektligjit për “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e marrëveshjes mbi transportin ndërkombëtar të rastit të udhëtarëve me autobus (marrëveshja interbus)”.

Balluku tha se me anë të kësaj marrëveshje, qeveria ka si objektiv strategjik rritjen dhe forcimin e sektorit të turizmit.

“Vendi ynë ka aderuar në marrëveshjen interbus në vitin 2004 për herë të parë dhe në bazë të kësaj marrëveshje kryen transporte ndërkombëtare të rastit apo turistike. Qëllimi i marrëveshjes është që të zgjerohet mbi procedurat për shërbimet e rregullta dhe të specializuara që janë objekte autorizimi. Protokolli synon të ndikojë në promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve në Europë. Ka objektiv strategjik të qeverisë për të rritur dhe forcuar sektorin e turizmit dhe dëshirën për të promovuar shkëmbimin kulturor ndërmjet palëve kontraktuese të këtij prokotolli”– tha Balluku.

Mes të tjerash, ajo renditi disa prej projekteve kryesore infrastrukturore të cilat do të ndikojnë në përballimin e shtimit të fluksit të vizitorëve në vendin tonë gjatë këtij sezoni turistik.

“Ka shumë projekte infrastukturore që dorëzohen këtë vit, askush nuk mund të vërë në dyshim përpjekjen, angazhimin dhe fokusin e qeverisë shqiptare për të çuari nfrastrukturën në një nivel tjetër që do i përgjigjet shumë mirë vizitorëve të huaj. Iu ftoj ta votojmë sot këtë projektligj, faleminderit për vëmendjen”- shtoi zv.kryeministrja.


AlbaniaWeb.net