Mon, Nov 25, 2024

Olta Xhaçka sulmon mediat për çështjen e mandatit të saj

  • PublishedApril 11, 2024

Në një fjalim para procesit të votimit për të zbatuar një vendim të kësaj gjykate që detyron Kuvendin të dërgojë pranë kësaj gjykate për interpretim mandatin e saj, Xhaçka i quajti gazetarët “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”, ndërsa kolegët opozitarë si “lecka”.

“Nuk mund të ndjej tjetër përveçse turp dhe neveri që në gojën e një zonje të rrotullohet gjuha e gjyqtarëve dhe prokurorëve popullorë, por dhe e snajperistëve mediatikë që vënë gjoba shumë të majme…”- e nisi fjalën Xhaçka.

Ajo replikoi me deputeten e PD-së, , e cila e akuzoi se kishte përdorur politikën për t’u pasuruar në mënyrë të dyshimte duke iu referuar deklaratave të pasurisë së Xhaçkës.

Më tej deputetja socialiste e quajti debatin për mandatin e saj si absurditet që kishte nisur sipas saj, “në ekranet e akuzave të qepura me porosi dhe në portalet e gjobave të vëna me babëzi”.

Xhaçka po ashtu pretendoi se e kishte shqyrtuar mandatin e saj. “…Shqyrtoi provat reale, jo ato të gjyqeve të ekraneve politike…,” u shpreh ajo duke iu referuar në fakt seancave gjyqësore që shqyrtuan përplasjen e kompetencave mes 1/10 së deputetëve dhe Kuvendit.

Pas mbrojtjes më shumë se 1-vjeçare që mazhoranca ka ndërmarrë ndaj Xhaçkës në kurriz të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo u sugjeroi deputetëve që të tregonin sovranitet.

“Sot Kuvendi s’ka çfarë voton fare për mua, se çështjen time GJK e ka pasur dhe e ka pushuar,” spekuloi ajo.

Xhaçka mbante detyrën e Ministres së Jashtme në kohën kur Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, , i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit.

Xhaçka këmbëngul se nuk është në konflik interesi dhe se nuk kishte përfituar asnjë centimer tokë shtetërore dhe asnjë lloj përfitimi tjetër publik. Sipas saj, i vetmi përfitim nga ky status lidhej me kompaninë që në një të ardhme do të menaxhojë aktivitetin për sipërfaqen e plazhit para hotelit.

Kompania, e cila shfaqet në dokumente si menaxhere e aktivitetit, është një kompani që u pretendua si kompani amerikane, por që rezulton në pronësi të kunatës së Xhaçkës, partneres së vëllait. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi nuk u kursye ndaj ish-ministres së Jashtme, , ndërsa theksoi se kjo e fundit ka mandat antikushtetues.

Opozita e akuzoi Xhaçkën se me mbrojtjen politike po tregonte se kishte frikë të përballej me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, pasi ishte e vetëdijshme se do humbasë mandatin e deputetit.

“Ta vendosë drejtësia, pse fshiheni kaq shumë?”- e pyeti kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, duke shtuar “ditën që ky Kuvend gris vendimet e Gjykatës Kushtetuese për hatrin tënd dhe të burrit tuaj, ky nuk është më Kuvend, por katundi i Edi Ramës …”.

Në janar të vitit 2023, Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate dhe i kërkoi Kuvendit që të vendosë për të kundërtën.

Kushtetuta parashikon që asnjë deputet nuk mund të përfitojë të mira publike dhe se ai humbet mandatin në momentin që Gjykata Kushtetuese del në këtë përfundim.