Mon, Nov 25, 2024

Bashkia e Fierit krijon një kompani për menaxhimin e inceneratorit që nuk djeg

  • PublishedApril 15, 2024

Me një praktikë të paprecedentë, ku medias dhe publikut iu mbyllën dyert, Këshilli Bashkiak i Fierit miratoi vendimin për themelimin e një kompanie publike, e cila pritet të menaxhojë mbetjet e qarkut dhe inceneratorin ende të papërfunduar të Fierit.

Mbledhja u shoqërua me tension dhe u pasua me shkarkimin e nënkryetarin e Këshillit, – një përfaqësues i opozitës. Motivacioni për këtë shkarkim ishte filmimi prej tij i mbledhjes së Këshillit Bashkiak, e cila duhet të jetë e hapur për publikun.

Sipas vendimit të miratuar me limitin e kuorumit të nevojshëm prej 31 votash,  Bashkia e Fierit do të jetë aksionerja kryesore e shoqërisë me 51 për qind të aksioneve. Në projekt-vendimin që BIRN e disponon thuhet se është e domosdoshme regjistrimi i shoqërisë me qëllim që kur gjyqi për inceneratorin të përfundojë, të bëhet kalimi te bashkitë. Por përfaqësues të opozitës akuzuan se ky ishte vijim i skandalit dhe se vendimi po merrej në errësirë, pa informuar Këshillin mbi situatën në të cilën ndodhej fusha e mbetjeve dhe i ashtuquajturi incenerator i Fierit.

“Ne kemi disa muaj që kërkojmë informacion mbi gjendjen e inceneratorit. Madje u kemi propozuar me shkresë zyrtare ngritjen e një grupi pune për të vlerësuar gjendjen e impiantit, pasi ky do të jetë vendi i grumbullimit të mbetjeve për gjashtë bashki. Na është thënë se nuk mund të bëhet një vlerësim i tillë, pasi është objekt nën sekuestro,” tha për BIRN Endri Jaupaj, nënkryetar i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues i opozitës.

Kërkesa e Jaupajt dhe këshilltarëve të tjerë të opozitës u përball me indiferencë nga shumica. Kjo e fundit madje votoi një vendim shkarkimi për Jaupaj, të cilin ironikisht e akuzoi se po filmonte mbledhjen.

Jaupaj thotë se ky është një krim mjedisor dhe i hap rrugë aferave të tjera me paratë e taksapaguesve, ndërsa tenton të fshehë problemet e krijuara nga ndërtimi i të ashtuquajturit incenerator.

“Unë kam folur me zyrtarë të bashkisë, të cilët më kanë sqaruar se ajo që ne i themi landfill, në fakt janë katër gropa të cilat u ndërtuan me kapacitet të kufizuar dhe do të shërbenin për depozitimin e mbetjeve vetëm në raste emergjence, kur inceneratori të mos punonte dhe kjo për një periudhë kohe jo më shumë se gjashtë muaj”, tha Jaupaj.  Ai tha se për shkarkimin e tij do të ankohej në gjykatë dhe e cilësoi vendim “hakmarrës”.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak pranoi shkarkimin e Jaupajt pasi sipas saj “ai po filmonte”.

“Satuti u miratua me 31 vota. Nënkryetarin Jaupaj e shkarkuam nga detyra e nënkryetarit sepse vazhdimisht në mbledhjet e këshillit bënte video dhe i shpërndante në Facebook,”, tha për BIRN kryetarja e Këshillit Bashkiak, .

Çuni mohoi gjithashtu përgjegjësinë për mbledhjen me dyer të mbyllura.  “Unë nuk di gjë për këtë, nuk e kisha idenë që media ishte jashtë. Unë menxhoj sallën e mbledhjeve, jo godinën e bashkisë”, shtoi znj Çuni.

Këshilltarë të tjerë të opozitës, përfshi ata të Partisë së Lirisë apo grupit të PD-së që njihet si “Rithemelimi”, kundërshtuan vendimin.

“Ne na u vendos përpara projekt statuti që e bën bashkinë zotëruese të 51% të aksioneve të inceneratorit, kur ky i fundit të përfundojë si investim. Deri tani, inceneratori nuk punon, por na u tha që shteti do investojë për ta vëne ne punë. Ne nuk e miratuam si këshilltarë të djathtë, por ata kanë shumicën e duhur për vendime të tilla,” tha për BIRN, anëtar i këshillit që përfaqëson grupin e rithemelimit të PD.

Në një deklaratë për mediat menjëherë pas mbledhjes se Këshillit, këshilltarja Eriselda Çelaj ngriti një sërë pyetjesh që sipas saj nuk kanë marrë përgjigje, përfshi kostot e menaxhimit të mbetjeve, lejet mjedisore dhe kostot e incneratorit.

Por nënkryetarja e bashkisë e cilësoi procesin formalitet.

“Është vetëm regjistrimi i shoqërisë, akti i themelimit dhe regjistrimi. Ne nuk e marrim në dorëzim impiantin pa pasur një raport, por raportin nuk e hartojmë ne,” tha për BIRN Adela Hysenaj, nënkryetare e bashkisë së Fierit.

Vendimi parashikon që bashkia e Fierit do të kontrollojë si aksionere në shumicë shoqërinë që u pagëzua si “Shoqëria e trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier”.  Sipas këtij vendimi, zotëron 50.78% të vlerës së aksioneve, në kapitalin themeltar të kësaj shoqërie, do të paguajë me 5.1 milionë lekë. Bashkia Lushnjë,  zotëron 25% të vlerës së aksioneve, në kapitalin themeltar të kësaj kompanie, me vlerë 2.5 milionë lekë. Bashkia Patos, zotëron 7.03% të vlerës së aksioneve, me vlerë 700 000 lekë. Bashkia Roskovec, zotëron 5.47% të vlerës së aksioneve, me vlerë  500 000 lekë. Bashkia Divjakë, zotëron 7.03% të vlerës së aksioneve, me vlerë 700 000 lekë. Bashkia Mallakastër,  zotëron 4.69% të vlerës së aksioneve,  me vlerë 500 000 lekë.

Në vendim thuhet se për ta zbatuar atë do duhet të pritet gjykata.  “Aktualisht Impianti i Përpunimit të mbetjeve Urbane te Qarkut Fier, është i sekuestruar dhe administrohet nga ana e Agjensisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe KonfiskuaraTiranë (AAPSK), mbi bazën e Vendimit nr 134 dt.28.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për administrimin e shoqërisë  së sekuestruar “”sh.p.k”, thuhet në vendim.

Afera e inceneratorëve, në Tiranë, Fier dhe Elbasan, u ka kushtuar deri më sot taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro, ndërsa një numër i lartë zyrtarësh publikë janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Ish-ministri i Mjedisit, , ish-deputeti socialist, si dhe tre administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, dhe Stela Gugallja janë dënuar për disa vepra penale të lidhura me aferën e inceneratorëve, ndërsa ish.zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në arrati.