Thirrje Izraelit për mospërshkallëzim, Teherani: Perëndimi duhet të fajësojë veten, të japë llogari për masat e marra ndaj krimeve të luftës
Të gjithë sytë janë te Izraeli për të parë se si do reagojë ndaj sulmit me dron dhe raketë të Iranit, por aleatët e tij i kanë kërkuar që të shmangë përshkallëzimin.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock thotë se Izraeli “ka fituar në mbrojtjen e Perëndimit në luftën me Iranin dhe nuk duhet të ketë një përshkallëzim në rajon.
Presidenti francez Emmanuel Macron i bashkohet thirrjeve për qetësi dhe thotë se vendi i tij do të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur një përshkallëzim.
Ndërsa Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron tha për BBC-së se ai mendonte se Izraeli ishte “përsosmërisht i justifikuar” për t’iu përgjigjur Iranit, por i kërkoi vendit të ishte i kujdesshëm dhe “të mendojë me kokën e tij, jo me zemër”.
Gjithashtu Teherani u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që të “vlerësojnë përmbajtjen e Iranit” ndaj Izraelit pasi ai sulmoi vendin të shtunën si hakmarrje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Damask, Siri.
Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa drejt Izraelit, por rreth 99% e tyre u kap, deklaruan zyrtarët izraelitë.
“Në vend që të bëjnë akuza kundër Iranit, vendet [perëndimore] duhet të fajësojnë veten dhe t’i përgjigjen opinionit publik për masat që kanë marrë kundër krimeve të luftës të kryera nga Izraeli në luftën e tij në Gaza”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanani më herët.
Kanani shtoi se vendet perëndimore “duhet të vlerësojnë përmbajtjen e Iranit në muajt e fundit”.
AlbaniaWeb.net