Rei Manaj: Në Angli nuk u përshtata, forma erdhi nga… bakllavaja! Ja ku dua të arrij
Rei Manaj, sulmuesi i momentit në Kombëtaren shqiptare, është kthyer edhe njëherë të flasë për eksperiencën në Turqi, të cilën e zgjodhi verën që kaloi, me një kontratë tre vjeçare me Sivasporin.
I pyetur nëse dinte disa fjalë turke, Manaj thotë: “Patjetër që po, tamam, bismilah, ajran janë fjalë të cilat i përdorim edhe në Shqipëri”, thotë 27-vjeçari. Më pas prek edhe rrëfimin e tij me fëmijërinë ku shprehet: “Në vitin 1997 Shqipëria ka kaluar muaj të vështirë, por mua nuk më pëlqen që të ndaloj shumë në këtë pikë, pasi nuk dua që askush të ketë mëshirë për mua. Kështu më kanë mësuar prindërit e mi, të cilët i falënderoj për gjithçka çfarë kanë bërë për mua”.
FUTBOLL QË FËMIJË Më tej Manaj shpjegon se lidhja me futbollin ka qenë e veçantë që në fëmijëri. “Kur isha i vogël mbaroja shkollën dhe luaja me shokët tërë pasditen futboll. Më pas fundjavave shoqëroja babain, pasi edhe ai luante me shokët e tij. Aty herë-herë futesha dhe unë të luaja. Aty nisi gjithçka. Jam rritur duke parë Ronaldo fenomenin, i cili është edhe idhulli im”, tha Manaj.
KALIMI NË TURQI Pas një eksperience të vështirë në Angli, Manaj tregon edhe si erdhi transferimi në kampionatin turk: “Presidenti i Sivasporit ishte i pari që më telefonoi kur unë isha ende i dëmtuar. E kisha ndjekur një vit më parë këtë ekip teksa luante përballë Fiorentinës. Më pas mora disa telefonata edhe nga disa klube të tjera turke, por dëshiroja të luaja me Sivasporin, pasi i kisha dhënë fjalën presidentit. Tani mendoj se e kam bërë mirë zgjedhjen time”, tha 27-vjeçari.
VËSHTIRËSITË NË ANGLI Rei flet edhe për situatën e vështirë që kaloi në Angli ku ishte pjesë e Uotfordit. “Në Angli kam kaluar një periudhë të keqe, jo për shkak të nivelit të futbollit atje, por thjesht se nuk u përshtata me mënyrën se si punonin. Unë isha mësuar që të punoja në palestër një herë në javë, ndërsa në Angli shkonin çdo ditë”, thotë lushnjari.
FORMA FANTASTIKE Sulmuesi shpjegon se çfarë fshihet pas formës së mirë që po kalon në Turqi. “Unë jam mësuar me futbollin, pasi kam firmosur për klubin tim të parë që në moshën 16- vjeçare. Tani ndihem mirë, sepse i jam dedikuar këtij sporti. E shikoj me shumë pasion. Vij në stërvitje trikatër orë përpara dhe kujdesem shumë edhe me ushqimin. Më pëlqen që të konsumoj shumë bakllava, por e frenoj veten pasi duhet të vrapoj shumë. Preferoj ta konsumoj pas ndeshjeve. Dëshira ime është që të dërgoj Sivasporin mes pesë skuadrave më të mira në Turqi”, thotë Manaj, i cili u grumbullua nga Silvinjo për dy miqësoret që Shqipëria zhvilloi muajin e kaluar. Sulmuesi pritet që të jetë gjithashtu në listën e lojtarëve për dy miqësoret e radhës para Europianit, teksa deri tani ka shënuar 20 gola mes kampionatit dhe Kupës.