Mon, Nov 25, 2024

EMRI+FOTO/ Iu sekuestruan 97 makina dhe biznese, kush është biznesmeni trafikant në Shkodër

  • PublishedApril 18, 2024

Pasuritë e Ago Gjolaj në Shkodër janë sekuestruar nga Prokuroria e Shkodrës, mes tyre dhe 97 automjete.

Ky person është nën hetim për kryerjen e veprës penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Gjithashtu ai akuzohet për pastrim parash dhe dyshohet se merret me kontrabandim dhe tregtim të mallrave kontrabandë, si dhe është evidnetuar si pjesëmarrës në një grup kriminal që merret me trafikim droge.

Ky shtetas së bashku me dy vëllezërit e tij janë hetuar disa herë nga autoritet shqiptare madje edhe janë dënuar për vepra penale të ndryshme (kontrabandë, tregtim mallrash kontrabandë etj). Referuar të dhënave të grumbulluara deri tani Policia Gjyqësore ka dyshime të arsyeshme se pasuritë e shtetasit A.Gj. dhe familjarëve të tij nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhura të ligjshme.

Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar edhe procedimin penal nr. 1372/2020 për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pas referimit nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, e cila është vënë në dijeni nga Zyra Kombëtare Interpol Tirana, se autoritetet e Malit të Zi kanë qenë duke hetuar shtetasen shqiptare S.Gj, subjekt i lidhur me shtetasin A.Gj, pasi më datë 12.04.2018, ajo ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një jahti luksoz me vlerë 300,000 (treqind mijë) euro nga shtetasi malazez S.J, i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash.

Në këto kushte, pas kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 280 (1873), datë 16.04.2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit A.Gj, si dhe personave të lidhur me të. Konkretisht, janë sekuestruar:

-Shoqëria tregtare “B.M” SHPK, me Nipt: K68404706Q;

-Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shoqërisë “B.M” SHPK, konkretisht, pasuria nr. 1155/8 ND2+N2, vol.28, fq.58, ZK.2105, Shoë Room, me sipërfaqe 199 m2; pasuria nr.1345/1, vol.10, fq.176, ZK.2221 indeks harte k-34-63 (95-D), adresa Koplik i sipërm, Rr.1, Malësi e Madhe dhe pasuria nr.37/4, vol.6, fq.69, ZK.1977;

-97 automjete në pronësi të shoqërisë “B.M” Shpk;

-Gjendja aktuale në të gjitha llogaritë bankare (llogari rrjedhëse/depozita) në të gjithë bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë në emër të shtetasit A.Gj, shtetases S.Gj, si dhe të shoqërisë “B.M” SHPK;

Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, po vazhdojnë hetimet për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera me origjinë kriminale, si dhe dorëzimin e tyre përfaqësuesve të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë.


AlbaniaWeb.net