“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve ishte kriter kyç”, Kurti thirrje BE-së: Hiqni masat sa më parë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me dështimin e referendumit “pro ose kundër” shkarkimit të kryetarëve në komunat veriore, ka thënë se “rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual”, ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore ka dështuar.
Kurti përmendi gjithashtu se mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim “ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.”
Ai ka bërë thirrje që masat e BE-së ndaj Kosovës të largohen sa më parë.
Reagimi i plotë:
Një vit pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të cilat u mbajtën më 23 prill të vitit 2023, e u njohën nga BE dhe ShBA, përkatësisht QUINT-i, sot u mbajtën ‘zgjedhjet për shkarkim’ të këtyre kryetarëve.
Këto ‘zgjedhje për shkarkim’ u organizuan si përgjigje ndaj kërkesës së këtyre faktorëve ndërkombëtarë, e që erdhi pas sulmeve të dhunshme ndaj kryetarëve aktual dhe bandave ekstremiste të dhunshme që mësynin të hynin në ndërtesat komunale më 29 maj të vitit të kaluar, organizuar e sponzorizuar nga Serbia. Ato rezultuan me lëndimin e mbi 90 ushtarëve të KFOR-it, dhjetëra policëve të Kosovës dhe gazetarëve.
Bazë e kërkesës për zgjedhjet për shkarkim ishte mungesa e legjitimitetit të kryetarëve aktual për shkak të daljes së ulët të qytetarëve, për shkak të kërcënimeve e shantazheve ndaj popullsisë lokale nga Beogradi zyrtar dhe vegla e tij Lista Serbe. U bë edhe udhëzimi administrativ që sqaronte se si zbatohet neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Qytetarët serbë në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – sot patën mundësinë të shkarkojnë kryetarët aktual në një proces demokratik dhe të ligjshëm zgjedhor.
Rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual. 20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të inicuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%.
Qeveria e Republikës së Kosovës është ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos ndaj trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto katër komuna.
Në këto tri vite, qeveria ka bërë maksimumin për të luftuar krimin dhe kontrabandën dhe për forcuar sundimin e ligjit. Sipas të dhënave nga terreni, në aspektin e sigurisë situata është raportuar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar. Por, ka pasur ndërhyrje të shumta të frikësimit e kërcënimeve nga Serbia. Procesi i sotëm zgjedhor është dëshmi e ambientit të përmirësuar të sigurisë dhe sundimit të ligjit. Falënderojmë Komisionin Qendror Zgjedhor dhe të gjitha institucionet e Kosovës për organizmin dhe mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor i cili rrodhi pa incidente.
Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë.
Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyret e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës.
Të gjitha reagimet:
1,6 mijë
AlbaniaWeb.net