Wed, Nov 27, 2024

Dënohet bojkoti serb/ Qeveria e Kosovës kërkon heqjen e masave ndëshkuese, reagon edhe BE

  • PublishedApril 22, 2024

Pas dështimit të iniciativës për shkarkimin e katër kryetarëve të veriut, Kosova po kërkon heqjen e masave ndëshkuese që bashkësia ndërkombëtare vendosi vitin e shkuar.

Qeveria e Kosovës në një deklaratë duke shprehur keqardhjen për mospjesëmarrje, thonë që me organizimin e votimit Kosova ka përmbushur kushtet për largim të masave, pa marrë parasysh rezultatin.

Edhe komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhjen për bojkotin. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka kritikuar Listën Serbe, si prijëse e bojkotit.

“Për ta thënë troç: ata që bënë thirrje për bojkot morën pikërisht atë që kërkuan”, tha ambasadori gjerman.

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhjen që serbët nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë për të zgjedhur kryetarë “më përfaqësues”, ndërkohë që shtojnë se rezultati i votimit nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.

E opozita në Kosovë njëzëri akuzon Serbinë për përfshirje në çështje të brendshme të Kosovës dhe kërkon largimin e masave ndëshkuese.=

“Nuk i zgjidh asgjë, problemi është në derë, Kosova vazhdon të ketë problem, vazhdon të jetë problemi i njëjtë, jemi në një situatë të pafavorshme”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

“Kosova duhet ta ushtrojë sovranitetin por duke argumentuar para ndërkombëtarëve”, u shpreh deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.

Sa i përket largimit të masave, Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme ka thënë se kjo varet nga raporti i Josep Borrell.

“Për masat, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, thuhet në përgjigje.

Më 21 prill u mbajt votimi për shkarkimin e kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut. Për shkak të pjesëmarrjes nën një për qind të votuesve, Komisioni Qendror i Zgjedhje konstatoi se ka dështuar kjo nismë.


AlbaniaWeb.net