“Si shpjegohet që këtu vajzat janë më të gjata se çunat?!”, Rama batuta gjatë inspektimit të shkollës në Kamzë: Kur vinte kryeministri më përpara ia fusnin 2 gishtat në sy
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot shkollën e re 9 vjeçare “Demokracia” të ringritur nga themelet në Valias të Kamzës. Shkolla me të gjitha standartet bashkëkohore është një prej 38 objekteve arsimore të rindërtuara në bashkinë e Kamzës.
Gjatë vizitës së tij, kryeministri i shoqëruar nga ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe kryebashkiaku Rakip Suli u takua me mësues dhe nxënës të shkollës, me të cilët nuk kurseu as batutat duke konstatuar se vajzat ishin më të gjata se djemtë.
“Gocat më të gjata se çunat, prandaj fiton Kamza në basketboll. Si shpjegohet që në Kamzë, të gjitha gocat janë më të gjata se çunat?” – u shpreh Rama.
“Është një mrekulli kryeministër që është bërë këtu, një investim nga duart tuaja”- iu drejtua një prej mësuesve të shkollës.
Rama: Jo nga duart e mia, investimin e ka bërë qeveria, ndërtimin kompania ndërsa inspektimin dhe çuarjen përpara bashkia.
Mësuesi: Edhe kryeministri ka ardhur në Kamzë..
Rama: Ka ardhur edhe përpara kryeministri, por ia fusnin dy gishtat në sy
Shkolla 9 vjeçare “Demokracia” në Valias, Kamzë është ringritur nga themelet me financimin e buxhetit të shtetit. Një shkollë model, e konceptuar si një kompleks arsimor ku përfshihen përveç shkollës me 445 nxënës, edhe kopshti e çerdhja me 155 fëmijë, si dhe stafi pedagogjik me 36 mësues dhe edukatorë.
AlbaniaWeb.net