Mon, Nov 25, 2024

“Distancohem nga praktikat antiligjore të iniciuara nga Kryesisë”, Artan Fuga denoncon Akademinë e Shkencave: Zgjedhjet për akademikët e rinj, në kundërshtim me ligjin

  • PublishedApril 23, 2024

Akademiku Artan Fuga deklaron se zgjedhjet për akademikët e rinj u bënë në shkelje flagrante të ligjit dhe të Statutit të Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë.

Në një letër publike profesor Artan Fuga i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë, duke vënë në pah shkeljet që sipas tij janë bërë.

Sipas Fugës shtimi i asamblesë me anëtarë të rinj është bërë në shkelje të ligjit dhe duke “krijuar pabarazi, privilegje, trajtime të diferencuara për trupën profesionale të mbarë vendit”.

“Fatkeqësia është se këtë proces të paligjshëm e drejton vetë kryesia, dhe konkretisht kryetari i saj z. Skënder Gjinushi, si edhe nënkryetari zz. Vasil Tole dhe Sekretari i përgjithshëm Shaban Sinani. Sikurse u shpreh kryetari i Akademisë së Shkencave, pranimet e reja bëhen kur ligji, që vetë ai ka konceptuar, lejoka hapësira boshe, të papërcaktuara, dhe ato mund të mbushen nga votime në asamble!!!

Mbi këtë bazë komisioni teknik i vetë-ngritur për të shqyrtuar dosjet e kandidatëve ka anashkaluar rëndë dhe me qëllim detyrën e tij dhe ka fshehur mangësi që kanë natyrë serioze dhe thelbësore për atë procedurë. Nuk ka vendim të asamblesë për hapjen e vendeve për akademikë, nuk është konsultuar seksioni sipas Statutit dhe ligjit në fuqi për hapjen e këtyre vendeve, nuk janë njoftuar IAL, në dosjet e kandidatëve mungojnë mbështetjet nga ana e dy akademikëve, nuk ka ekspertizë për arritjet e kandidatëve nga njësitë bazë ku janë atashuar kandidatët as edhe mbështetje nga ana e senateve të IAL”, deklaron Fuga.

Po ashtu ai shton se kandidimi nuk është bërë ndividual, por kolektiv nga ana e disa kandidatëve së bashku.

“Të gjitha këto përbëjnë shkelje të ligjit dhe të pikave 3,4,5,6,7,8 të nenit 7 të statutit.

Fuga u ka bërë thirrje kandidatëve të mos pranojnë një karrierë akademike të njollosur me shkelje ligjore dhe statutore.

“Unë, si anëtar i akademisë së shkencave distancohem nga këto praktika antiligjore të iniciuara nga ana e kryesisë së akademisë së shkencave dhe riafirmoj përpara publikut dhe komunitetit të studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, universitarëve të vendit, se as jam pajtuar dhe as pajtohem kurrsesi me to, qoftë edhe sikur të jem i vetëm. Përvoja më ka mësuar se edhe një e votë e vetme mund të jetë bartëse e së vërtetës”, e përfundon letrën Artan Fuga.

Letra e plotë:

Zgjedhjet për akademikë u bënë në shkelje flagrante të ligjit dhe të Statutit të akademisë së shkencave në Republikën e Shqipërisë

Për dijeni: Komisionit të edukimit dhe medias në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë

Kryesia e Akademisë së Shkencave inicioi procedura për pranimin e akademikëve të tjerë, çka e përfundoi si proces në datën 22 prill 2024. Në vetvete, shtimi i asamblesë me anëtarë të rinj është një rast i gëzuar. Por, ai, sikurse edhe në raste të tjera infektohet me parregullsi, me shkelje të ligjit në fuqi, të Statutit të Akademisë së Shkencave, duke krijuar pabarazi, privilegje, trajtime të diferencuara për trupën profesorale të mbarë vendit!

Fatkeqësia është se këtë proces të paligjshëm e drejton vetë kryesia, dhe konkretisht kryetari i saj z. Skënder Gjinushi, si edhe nënkryetari zz. Vasil Tole dhe Sekretari i përgjithshëm Shaban Sinani. Sikurse u shpreh kryetari i Akademisë së Shkencave, pranimet e reja bëhen kur ligji, që vetë ai ka konceptuar, lejoka hapësira boshe, të papërcaktuara, dhe ato mund të mbushen nga votime në asamble!!!

Votime me 98 për qind për të kaluar dhe anashkaluar, shkelur, marrë nëpër këmbë me ligje, me statute, me gjithçka që përbëjnë norma të shtetit ligjor!!! Ky është mentaliteti që drejton sot akademinë e shkencave!

Madje në mbledhjen e fundit, në emër gjoja të ruajtjes së autonomisë së kërkimit shkencor, u votua që Akademia e Shkencave të mos pranojë auditim nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit për performancën e aktiviteteve të saj !!!

Shkenca në Akademinë e Shkencave me votë vendoset kështu sikurse e tregon edhe ky rast mbi institucionet kushtetuese, nuk pranon auditime, kontroll, por kryesia me votë e quan veten “mbret”, “monark absolut” e palidhur për të anashkaluar ligje, procedura dhe vetë kompetencat kushtetuese të organizmave të shtetit. Shkenca sipas këtij koncepti, akademia që mbahet me taksat e qytetarëve shqiptarë, nuk pranon të auditohet se çfarë bën, si e kryen misionin e saj. Fraza u lëshua: Për studimet tona ne nuk bëjmë auditime!

Pse këto paligjshmëri? Përse infektohen me veprime antiligjore karriera kërkuesish shkencorë, me të cilët nuk kam asgjë personale, përse drejtohet me paligjshmëri? Përse i fshihet dhe i ndruhet auditimit kryesia e akademisë së shkencave?

Mbledhja e asamblesë së akademisë së shkencave e datës 23.04.2024 ishte një “atentat” kundër shtetit ligjor, unë nuk e di në emër të kujt dhe për çfarë arsyeje! Iu tha “Jo!” Kontrollit të Lartë të Shtetit! Le ta botojnë letrën e përgatitur nga kryesia dhe që e votuan në asamble! Publiku do të lemeriset nga vendosja e vetes mbi çdo ligj dhe kontroll të ligjshëm në emër gjoja të lirisë për të qenë mbi ligjet!

Sikurse edhe e shpreha në forma të ndryshme dhe transparente gjatë punimeve të seksionit mbledhja dhe e gjithë procedura e zgjedhjeve të akademikëve të rinj (duke lënë mënjanë ato të zgjedhjes të anëtarëve të jashtëm) duke shkelur në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të qëllimshme ligjin në fuqi për akademinë e shkencave në Republikën e Shqipërisë si edhe në kundërshtim të plotë me statutin në fuqi të asaj akademie. Ato procedura shkelin me të dy këmbët edhe Kushtetutën duke mos respektuar barazinë në të drejta të qytetarëve dhe duke privilegjuar në mënyrë të jashtëligjshme persona të veçantë brenda asaj asambleje.

Sikurse theksova edhe gjatë mbledhjes në fjalën time vetë koncepti “promovim karriere” për të kaluar në mënyrë të jashtëligjshme persona të veçantë nga statusi i akademikut të asociuar në atë të akademikut është i pambështetur në asnjë nen apo fjalë të ligjit dhe në asnjë nen të statutit. Kjo bën që e gjithë procedura e mbështetur në këtë koncept manipulues dhe antiligjor të dali nga kuadri i normave juridike në fuqi në Republikën e Shqipërisë, të cilat janë shumë të qarta dhe të përcaktuara.

Mbi këtë bazë komisioni teknik i vetë-ngritur për të shqyrtuar dosjet e kandidatëve ka anashkaluar rëndë dhe me qëllim detyrën e tij dhe ka fshehur mangësi që kanë natyrë serioze dhe thelbësore për atë procedurë. Nuk ka vendim të asamblesë për hapjen e vendeve për akademikë, nuk është konsultuar seksioni sipas Statutit dhe ligjit në fuqi për hapjen e këtyre vendeve, nuk janë njoftuar IAL, në dosjet e kandidatëve mungojnë mbështetjet nga ana e dy akademikëve, nuk ka ekspertizë për arritjet e kandidatëve nga njësitë bazë ku janë atashuar kandidatët as edhe mbështetje nga ana e senateve të IAL.

Nga ana tjetër kandidimi në vend të bëhet individual është bërë kolektiv nga ana e disa kandidatëve së bashku. Nuk u dëgjuan as kandidatët sikurse kërkohet nga Statuti dhe u manifestuan edhe të tjera shkelje të rënda ligjore dhe statutore.

Të gjitha këto përbëjnë shkelje të ligjit dhe të pikave 3,4,5,6,7,8 të nenit 7 të statutit.

Nga ana tjetër, me gjithë kërkesat e përsëritura nga ana ime, u morën nëpër këmbë kriteret specifike që lidhen me analizën dhe vlerësimin e arritjeve të kandidatëve sipas ligjit dhe Statutit.

Ky i fundit kërkon që kandidatët:

– të kenë udhëhequr me sukses një numër doktoraturash,

– të kenë drejtuar qendra ose njësi kërkimore dhe shkencore,

– të kenë drejtuar grupe kërkimi shkencor,

-të kenë marrë pjesë në komitete organizimi ose drejtuar borde revistash shkencore ndërkombëtare,

-si edhe të kenë vepra shkencore të botuar jashtë vendit,

– apo artikuj shkencorë në revista me faktorë impakti ose të indeksuar në baza cilësore të dhënash (së paku autorë i parë apo I dytë sikurse e kërkon ligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor).

Por, kryesia e akademisë së shkencave nuk pyet për to! Hedh në votim dhe anashkalon çdo ligj!

Theksoj se të gjitha këto shkelje të ligjit dhe të statutit komprometojnë rëndë procesin e votimit për akademikë dhe rezultatin e tyre si edhe vetë evoluimin si akademikë të kandidatëve të paraqitur apo edhe të anëtarëve të jashtëm të asamblesë. Ato ri-përsërisin mentalitetin e shfaqur në vazhdimësi që me forcën e votës të shkelet ligji dhe statuti në fuqi, duke vendosur me përgjegjësi kryesinë e akademisë së shkencave dhe të gjithë personat që janë ngarkuar të drejtojnë proceset e mësipërme.

Unë u bëj thirrje kandidatëve të mos pranojnë një karrierë akademike të njollosur me shkelje ligjore dhe statutore.

Unë, si anëtar i akademisë së shkencave distancohem nga këto praktika antiligjore të iniciuara nga ana e kryesisë së akademisë së shkencave dhe riafirmoj përpara publikut dhe komunitetit të studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, universitarëve të vendit, se as jam pajtuar dhe as pajtohem kurrsesi me to, qoftë edhe sikur të jem i vetëm. Përvoja më ka mësuar se edhe një e votë e vetme mund të jetë bartëse e së vërtetës.

Me konsiderata

Artan Fuga

Tiranë 23.04.2024


AlbaniaWeb.net