Sun, Nov 24, 2024

“Po u bëhet presion”, Basha gati amendamente të reja në mbështetje të SPAK: Pas mandatit, prokurorëve t’u sigurohet vendi në Apel, pa ndryshim page

  • PublishedApril 24, 2024

Lulzim Basha ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku ka deklaruare ndër të tjera se do të dorëzojë në Kuvend dy amendamente të reja në mbështetje të punës së SPAK.

Basha tha se propozimi i PD është që prokurorët e SPAK pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, t’u saktësohet pozicioni i punës që do të kenë, dhe të mos lihen në vakum.

“Këta janë prokurorë të caktuar nga kushtetuta dhe paguhen nga taksat për të trajtuar atë problem që nënvizohet në raport nga DASH të korrupsionit madhor të pushtetarëve. Kjo i vendos ata në një presion të jashtëzakonshëm. Është një detyrë që e kanë marrë përsipër, por interesat politike dhe financiare që po godasin, janë më të fortat. Detyra e ekipit juridik të PD është të eliminonte ose minimizonte çdo hapësirë për presion që atyre u bëhet, dhe një nga hapësirat është se ku do të shkojë pas mandatit. Ndaj ne propozojmë që pas mandatit t’i ofrohet një vend në prokurorinë e Apelit, prokurorinë e Përgjithshme, pa zbritje në pagë”, tha Basha.

“Vlerësoj punën e jashtëzakonshme që po zhvillohet nga segmente të caktuara jo politike të organizatave jo qeveritare dhe u bëj thirrje atyre si dhe donatorëve të huaj të mos reshtin për asnjë çast mbështetjen për përpjekjet anti korrupsion të medias, të organizatave jo qeveritare dhe natyrisht e mbi të gjitha të SPAK-ut. Siç paralajmërova para disa ditësh, Partia Demokratike ka bërë gati dhe do të dorëzojë në Parlamentin e Shqipërisë amendamente për të mbështetur SPAK-un në misionin që ka marrë përsipër.

Dy amendamente të propozuara kanë përfunduar pas një pune të kujdesshme dhe rigoroze të ekipit tonë juridik. I pari ka të bëjë me dispozita ligjore të cilat ndihmojnë në fuqizimin strukturor të SPAK-ut. Dhe amendamenti i dytë ka të bëjë me ndryshimin e kodit të procedurës penale me qëllim mbushjen sipas standardeve europiane të vakumit ligjor në raport me ekzekutimin e vendimeve të huaja penale, si dhe kompetencat e GJKKO-së në lidhje me njohjen e vendimeve të huaja penale.

Të dyja këto amendamente që propozohen, kanë për qëllim të përmirësojnë kapacitetet e SPAK-ut, t’i rrisin ato me efekt të drejtpërdrejtë goditjen e korrupsionit qeveritar dhe krimit të organizuar dhe në këtë mënyrë për t’i shërbyer një qëllimi, do të thoja një prioriteti mbarëkombëtarë siç është lufta kundër korrupsionit”, sqaroi kreu i PD.


AlbaniaWeb.net