Wed, Nov 27, 2024

Analiza e REL: Irani po tenton të zgjerojë ndikimin e tij në Afrikë duke i ofruar armë, partneritet dhe kaos

  • PublishedApril 25, 2024

Irani po tenton të zgjerojë ndikimin në Afrikë, duke ofruar armë, partneritet dhe kaos, me qëllim të forcimit të pranisë në këtë kontinent.

Diçka e tillë është pjesë e një ndryshimi strategjik, në të cilin janë përfshirë diplomatë iranianë të nivelit të lartë. Si këmbim, Irani shpreson që të ndërtojë partneritet që do t’i ndihmojë në shmangie të sanksioneve ndërkombëtare, dhe në ndërtim të një hapësire më të madhe për “Boshtin e tij të Rezistencës” kundër armiqve rajonalë dhe globalë.

“Irani ka tentuar të zgjerohet në aspektin politik dhe ekonomik edhe përtej rajonit ku është”, ka thënë Lukas Webber, konsulent i lartë për Valens Global dhe bashkëthemelues i Milirant Ëire.

Sipas tij, për shkak të sanksioneve perëndimore, “Irani është edhe më i nxitur për mundësi të reja tregtare me shtetet afrikane”.

Zyrtarët iranianë janë shprehur të kënaqur për mundësinë e krijimit të një qasjeje në bujqësinë dhe pasuritë minerare të Afrikës, teksa tentojnë të gjejnë destinacione të reja për eksportet iraniane, përfshirë armët e sofistikuara. Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ka folur për rëndësinë e kësaj strategjie, teksa e ka bërë një udhëtim në tri shtete të Afrikës në korrik – të parin të një presidenti iranian në Afrikë, në më shumë se një dekadë.

Këtë javë, Irani është duke organizuar samitin e dytë tregtar Iran-Afrikë, në periudhë relativisht të shkurtër, dhe përfaqësues të më shumë se 40 vendeve afrikane pritet të mblidhen në Teheran më 26-29 prill. Një zyrtar iranian, përgjegjës për promovim të biznesit ndërkombëtar, ka thënë këtë javë se “e ardhmja e tregtisë botërore do të jetë në Afrikë”.

Sipas tij, për dallim prej fuqive të mëdha që kanë tentuar të “shfrytëzojnë burimet e paprekura” të këtij kontinenti, shtetet afrikane nuk kanë “lidhje politike” me Iranin. Mirëpo, angazhimi i Iranit në Afrikë – sidomos përpjekjet për të eksportuar versionin e Teheranit mbi Islamin politik, krijimi i rrjeteve të veta, dhe furnizimet me armë, si për shtete, ashtu edhe për forca joshtetërore – shpesh është parë si referencë për jostabilitet dhe sentiment kundër Perëndimit, çka është në linjë me synimet afatgjata iraniane.

“Irani është duke avancuar strategjinë ‘e rezistencës’ në Afrikë, ku tenton të krijojë lidhje që prishin ndikimin e Perëndimit dhe izolimin e Iranit”, ka thënë Liam Karr, analist në Projektin për Kërcënime Kritike të Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve.

Në muajt e fundit, Irani ka bërë që prezenca e tij të ndihet edhe në të ashtuquajturin Bririn e Afrikës e deri në Sahel, me synim të rritjes së presionit ndaj armiqve rajonalë dhe si tentim për të shpërqendruar ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës. Përmes sulmeve të rebelëve Huthi – të mbështetur prej Iranit – në Jemen, në anijet transportuese të mallrave, si shenjë solidariteti me kauzën palestineze, Teherani e ka forcuar pozitën e tij në Ngushticën Bab al-Mandel, një rrip i ngushtë në Detin e Kuq.

Furnizimet iraniane me armë dhe municione në disa tregje rajonale janë evidente në disa rajone afrikane, ka thënë Webber, sidomos në Somali. Irani ka ofruar armë edhe për Qeverinë e Etiopisë për t’i luftuar grupet e armatosura opozitare. Pas përmirësimit të marrëdhënieve të Teheranit me rivalen e tij, Arabinë Saudite, më 2023, normalizimi i marrëdhënieve me disa vende afrikane, ka qenë hapi i radhës.

Në shtator, Irani i ka përmirësuar marrëdhëniet edhe me Xhibutin, vend i cili i pati shkëputur lidhjet me Iranin shtatë vjet më parë, me kërkesë të Riadit. Teherani ka punuar edhe për përmirësim të lidhjeve me Eritrenë dhe Sudanin, i cili ka pasur distancë me Iranin, pasi i është bashkuar një koalicioni saudit kundër Huthëve në të kaluarën.

Shitja e armëve të Iranit për forcat e armatosura të Sudanit, të cilat janë të përfshira në një luftë civile kundër rebelëve, i ka mundësuar së fundi ushtrisë që të parandalojë humbjet në njerëz dhe të fitojë territor. Në mars të këtij viti, Irani është raportuar të ketë kërkuar leje për të themeluar një bazë të përhershme detare në një port në Sudan, i cili konsiderohet si kryeqyteti ushtarak i shtetit. Kërkesa është refuzuar nga Sudani, mirëpo diçka e tillë ka shpërfaqur ambiciet e Teheranit për të zgjeruar prezencën në brigjet perëndimore të Detit të Zi.

“Baza detare iraniane në portin e Sudanit do të mbështeste drejtpërdrejt operacionet detare të Iranit dhe sulmet në anijet ndërkombëtare”, duke i mundësuar kështu Teheranit që t’i luftojë rivalët rajonalë, ka thënë Karr.

Duke nisur prej Sudanit, Irani po tentojë të krijojë një atmosferë ndikimi, që mund të zgjerohet nëpër Sahel e deri në Atlantik, një zonë ku Perëndimi shqetësohet se mund të bëhet strehë për militant islamistë. Karr ka thënë se përpjekjet e Iranit kanë qenë më të suksesshmet në Nigeri, ku Teherani e ka krijuar një rrjet të quajtur Lëvizja Islamike e Nigerisë, e cila “funksionon sikurse rrjetet tjera, përfshirë Hezbollahun në Liban, prandaj edhe atij regjimi iranian i ka ofruar ndihmë financiare, ushtarake dhe politike”.

Irani e ka shfrytëzuar mundësinë edhe për të krijuar lidhje me tri ushtri kundër Perëndimit, që kanë marrë pushtetin në Burkina Faso, Mali dhe Niger, vende të cilat, sipas analistit Karr, janë në linjë me synimet e Teheranit për të rritur “angazhimin ekonomik dhe për t’iu shmangur sanksioneve të Perëndimit”.

Ka shenja se Irani po tenton të përfitojë edhe prej mospajtimeve të fundit në mes të liderëve ushtarakë të këtyre vendeve dhe shteteve perëndimore, forcat e të cilave janë duke u dëbuar.

“Me tërheqjen ushtarake dhe rënien e ndikimit francez në Afrikën Perëndimore, Irani ka mëtuar të rrisë ndikimin përmes bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe projekte zhvillimore në infrastrukturë”, ka thënë Ëebber.

Irani ka thënë, po ashtu, se bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e sigurisë është shumë i nevojshëm për të luftuar terrorizmin në Afrikë, duke pretenduar që mund të zë rolin që e kanë pasur më parë forcat e Perëndimit. Prej kur ushtria e ka marrë pushtetin në Niger, në korrik të vitit të kaluar, tërheqjes së forcave franceze dh evropiane prej atij rajoni, forcimi i lidhjeve me Iranin nuk ka mbetur në hije. Një delegacion amerikan që ka udhëtuar në këtë shtet muajin e kaluar, ka shprehur shqetësime për marrëdhëniet e Nigerit me Iranin dhe aleaten e tij, Rusinë, e cila po ashtu synon të rrisë ndikimin në Afrikë.

Pak pas vizitës, Nigeri i ka dhënë fund aleancës kundërterrorizmit me Uashingtonin. Ka raportimet se diçka e tillë ka ndodhur pasi zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar ushtrinë për arritje të një marrëveshjeje të fshehtë që do t’ia mundësonte Iranit qasjen në rezerva të uraniumit. Ushtria, që gëzon pushtetin, dhe e ka quajtur prezencën e ushtrisë amerikane në Niger si të “paligjshme”, i ka hedhur poshtë raportimet.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të tërheqin 1.000 pjesëtarët e ushtrisë që i kanë pasur në këtë shtet. Një vendim i tillë është parë si fitore për Iranin dhe Rusinë, dhe synimet e tyre në atë rajon.


AlbaniaWeb.net