“Djajtë” festojnë me “poker”, por Ten Hag e pret shkarkimi, mediat zbulojnë kandidatin favorit (VIDEO)
Man.United thyen me “poker” golash Sheffield, dalin me tre pikë nga një sfidë ku e gjeten veten në dizavantazh pas minutës së 35-të. Harry Maguire me një goditje të saktë me kokë riktheu baraspeshën në minutën e 42-të. “Djajtë e kuq” vijojnë sezonin e tyre kaotik, kjo shihet në çdo sfidë, kështu ndodhi edhe përballë Sheffield, ku sërish me fillimin e pjesës së dytë, miqtë i ndëshkuan duke u rikthyer në avantazh.
Stafetën e mori më pas Bruno Fernandes, me fantazistin portugez që fillimisht u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke barazuar rezultatin në 2-2. Në të 81-tën, me një goditje të fortë nga distanca, Fernendes i dhuroi avantazhin Man.United. Katër minuta më pas ishte Hojlund që realizoi golin e katërt duke kompletuar “pokerin” e “djajve të kuq”. Fal këtij suksesi, United mban të gjallë shpresën për të siguruar një vend në Evropë, por dhe ky objektiv duket shumë i vështirë, teksa 5 javë përpara fundit ndodhen 7 pikë larg Tottenham, plus që “gjelat” kanë edhe një ndeshje në dispozicion.
Evropa është linja e kuqe për Ten Hag sipas mediave angleze, nëse United nuk kap vendin e 5-të, tekniku holandez do të shkarkohet. Gjithnjë sipas mediave në ishull, kandidati kryesor për të marrë vendin e Ten Hag është Gareth Southgate, trajneri i përfaqësueses angleze.
()