Gjykata Kushtetuese i hap rrugë zbatimit të marrëveshjes për Butrintin
Gjykata Kushtetuese njoftoi të mërkurën m 24 prill vendimin për rrëzimin e kërkesës së deputetëve të opozitës për shfuqizimin e marrëveshjes për administrimin në Parkun Kombëtar të Butrintit të nën-zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, e lidhur ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit u krijua me një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, një korporatë jofitimprurëse e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara, i cili ka mbështetur edhe hartimin e planit të biznesit për menaxhimin e Butrintit. Marrëveshja mes Ministrisë dhe këtij fondacioni parashikon lënien në menaxhim të Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vjet.
Kërkuesit e cilësuan marrëveshjen të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe kërkuan pezullimin deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në njoftim thuhet se gjykata ka arritur në përfundimin se ka juridiksion për shqyrtimin e ligjit miratues nr. 50/2022. “Për sa i përket marrëveshjes për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, pavarësisht natyrës jo normative të këtij akti, Gjykata pranoi juridiksionin e saj për shqyrtimin e tij. Në këtë drejtim, Gjykata pati parasysh jo vetëm se ky akt ka veshje formale me ligj për shkak të miratimit nga Kuvendi, por edhe natyrën kushtetuese të pretendimeve të ngritura nga kërkuesi, të cilat ajo i ka konsideruar si përcaktuese të juridiksionit kushtetues”, shprehet Gjykata Kushtetuese dhe rendit në vijim qëndrimin për pretendimet e kërkuesve.
Për pretendimin për cenimin e parimit të ligjshmërisë, për shkak të dhënies së statutit partner strategjik të AADF-së me një akt nënligjor, është vlerësuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shkak të natyrës individuale të këtij akti.
Po ashtu, është gjetur haptazi i pabazuar pretendimi për cenimin e parimit të kontrollit të financave publike, duke arritur në përfundimin se nuk vihet në diskutim ushtrimi i kompetencës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH për të kontrolluar financat publike, pavarësisht llojit të entitetit që i administron ato.
Lidhur me cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, është vlerësuar se argumentet e paraqitura kanë të bëjnë me përplasje mes akteve ligjore në fuqi, e për rrjedhojë nuk bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues.
Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar në themel vetëm pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore, duke vërejtur se janë mbështetur në Konventën e Parisit, sipas së cilës ‘shteti duhet të ruajë rolin e tij parësor për mbrojtjen dhe konservimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore” – e parë kjo edhe në këndvështrimin se Parku Kombëtar i Butrintit bën pjesë jo vetëm në trashëgiminë kulturore kombëtare nga për rrjedhojë është pjesë e identitetit kombëtar, por edhe në fondin e pasurisë së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Gjykata ka vlerësuar se, pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane, për sa kohë që ruan pronësinë dhe administrimin indirekt mbi këtë pasuri.
Po ashtu, është vlerësuar se marrëveshja ka krijuar mekanizma garantues, pasi fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm, ndërsa veprimtaritë e tjera që lidhen me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse i përkasin shtetit.
Argumenti dytë që paraqet Gjykata Kushtetuese si mekanizëm garantues është fakti se fondacioni në fjalë është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore, duke mos u përjashtuar nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor lidhur me marrjen e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, të përcaktuara sipas marrëveshjes.
Tjetër garant sipas gjykatës, është edhe përcaktimi në marrëveshje që detyron fondacionin për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit që të mund të ushtrojë kontroll për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë.
Bazuar në këto argumente, Gjykata Kushtetuese ka vendosur me shumicë votash të rrëzojë kërkesën për shfuqizimin e marrëveshjes për Butrintin. Marrëveshja për Butrintin shkaktoi polemika në kuvend dhe në komisionet parlamentare.