Planet e qeverisë për resorte në deltën e Vjosës krijojnë shqetësime mjedisore
Një delegacion prej 40 shkencëtarësh nga Shqipëria dhe vende të Bashkimit Europian apeluan të premten qeverinë shqiptare që të mbrojë deltën e lumit të Vjosës nga turizmi masiv, përfshirë edhe nga planet për ndërtim resortesh në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit nga dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner.
Sipas një njoftimi të shpërndarë nga organizatat mjedisore EuroNatur, Riverwatch dhe EcoAlbania, shkencëtarët kërkuan përfshirjen e deltës së Vjosës brenda “Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa”.
“Kjo deltë përballet me shumë kërcënime nga vizioni i qeverisë shqiptare për turizëm masiv. Së fundmi, qeveria planifikon ndërtimin e një resorti luksoz me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, brenda deltës së Vjosës,” thuhet në njoftimin e organizatave mjedisore, pjesë e fushatës “Save the Blue Heart of Europe”.
Kushner deklaroi para pak javësh se ka në plan të zhvillojë resorte turistike ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit duke ngritur pikpyetje serioze për cënimin e mjedisit dhe zonat e mbrojtura.
Po ky investim, sipas deklaratës, “është vetëm maja e ajsbergut të planeve shkatërruese për këtë ekosistem delikat”, nëse do t’i referoheshim masterplanit të qeverisë për zonën.
Shkencëtarë të huaj dhe vendas, pjesë e këtij delegacioni, akuzojnë qeverinë për plane shkatërruese që synojnë turizëm masiv dhe advokojnë për një alternativë të përputhshme ekologjikisht siç është eko-turizmi.
“Eshtë e dukshme për të gjithë shkencëtarët që morën pjesë në Javën Shkencore, që delta e Vjosës meriton një status ruajtjeje të lartë dhe duhet të përfshihet në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa,” citohet të ketë thënë Fritz Schiemer nga Universiteti i Vienës.
Sipas tij, “në mes të joshjes së turizmit luksoz, ne duhet të kujtojmë rëndësinë e pakrahasueshme ekologjike të deltës së Vjosës, një thesar unik në të gjithë Europën”.
Edhe për profesor Aleko Miho nga Universiteti i Tiranës, gjetjet e delegacionit shkencor duhet të merren parasysh nga qeveria.
“Ne po draftojmë një raport gjithëpërfshirës të të dhënave tona dhe i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të njohë rëndësinë ekologjike të kësaj zone delikate dhe ta përfshijë atë në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, në përputhje me standardet e IUCN,” tha Miho.
Delta e lumit të Vjosës po rrezikohet ndërkohë nga një projekt tjetër i madh i kundërshtuar fort nga organizatat mjedisore, ai i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i cili është në fazë ndërtimi.
Sipas studimeve mjedisore, nga 258 deltat dhe grykëderdhjet e lumenjve të vlerësuara në rajon, vetëm 4% e tyre janë në gjendje të mirë. Vjosa dhe deltat fqinje të lumenjve Shkumbin dhe Seman në Shqipëri përbëjnë deltat e fundit të mëdha dhe dinamike, të cilat bartin vlerë të pakrahasueshme për të gjithë detin Mesdhe dhe Europën.
Delegacioni prej 40 shkencëtarësh përgjatë një jave mblodhi të dhëna të disiplinave të ndryshme në deltën e paeksploruar pjesërisht dhe të paprekur të Vjosës, që nga studimi i peshqve, gjitarëve, shpendëve, bimësisë, insekteve and deri te monitorimi i përpiktëi cilësisë së ujit dhe mikroplastiës.
Ekspedita të ngjashme në pellgun e Vjosës u zhvilluan në vitin 2017 dhe 2021 duke luajtur një rol kryesor në nxjerrjen në pah të vlerave ekologjike të Vjosës, që shmangën projektet hidroenergjetike dhe i hapën rrugën mbrojtjes së këtij lumi.