“Zgjidhje prej Pelivani”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nxjerr në pension prokurorin para seancës në KPA
Ndërsa prokurori Pelivan Malaj ishte i pezulluar – pas vendimit të KPK-së për shkarkimin e tij nga detyra për mungesa të mëdha burimesh për pasurinë, atij iu zgjat mosha e daljes në pension nga KLP-ja – duke i mundësuar të merrte 70% të pagës për tre vjet. Pasi iu shpall data e seancës në Kolegjin e Apelimit me 22 prill, KLP-ja pranoi me urgjencë një kërkesë për daljen e tij në pension, në kapërcim të procedurave.
Të mërkurën, me 17 prill, Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbajti një nga seancat më të pazakonta në historinë e tij të shkurtër.
Pasi dëgjoi raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, për veprimtarinë e organit të akuzës gjatë vitit 2023, KLP-ja kaloi për shqyrtim në rend dite, jashtë radhe dhe me urgjencë, një kërkesë për daljen në pension të prokurorit të Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj, i cili ishte i pezulluar nga detyra prej 11 janarit 2021, kur u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për probleme në kriterin e pasurisë.
Kërkesa e Malajt solli debate mes anëtarëve të KLP-së, pasi u kontestua si e paligjshme dhe e pambështetur në rregullore nga ana e anëtarit Sokol Stojani, i cili ishte i vetmi nga anëtarët e pranishëm në mbledhje që votoi kundër.
Kërkesa për futjen në rend dite të Malajt u parashtrua fillimisht në Këshill nga anëtari Zeqir Hoda. Ai shpjegoi se kur kishte shkuar në zyrë të mërkurën më 17 prill, kishte gjetur kërkesën e prokurorit Pelivan Malaj, i cili sillte në vëmendje se i ishte drejtuar KLP-së për të marrë në konsideratë gjendjen e tij shëndetësore, duke e cilësuar si pamundësi për të vijuar funksionin. Po ashtu, ai kishte shpjeguar se megjithëse dy vjet më parë kishte mbushur moshën e pensionit të pleqërisë 67 vjeç, me kërkesë të tij, KLP-ja kishte vendosur të zgjaste vijimin e funksionit të prokurorit për Malajn deri në moshën 70 vjeç.
Hodo theksoi se, nisur nga natyra e kërkesës, duhej pranuar vullneti i prokurorit.
“Mendoj se ka prioritetin për t’u trajtuar me urgjencë. Propozoj që kjo të përfshihet në rendin e ditës të kësaj seance”, deklaroi Hodo, ndërsa kryetari i KLP-së, Alfred Balla, konstatoi se kuorumi ishte i mundur, pasi ishin të pranishëm 9 prej 11 anëtarëve. Sipas Ballës, mungonin anëtarët Arta Mandro dhe Olger Eminaj.
Në vijim e mori fjalën anëtari Sokol Stojani, i cili shpjegoi se kërkesa e Malajt nuk ishte diskutuar akoma nga Komisioni Karrierës.
“Ligji dhe rregullorja parashikojnë që veprimtaria e këshillit bëhet nëpërmjet komisioneve dhe jo rastësisht bëhet në këtë mënyrë, pasi çdo kërkesë duhet të shqyrtohet bazuar në dokumentacionin e plotë, në varësi të kërkesës”, vërejti Stojani dhe theksoi se në këtë rast nuk duket se ka urgjencë.
“Unë nuk shoh urgjencë në këtë kërkesë. Bëhet për dalje në pension. Këto janë gjëra për t’u verifikuar, por nga parashtrimi i kësaj kërkese më rezulton se që nga shtatori i vitit 2022, ai e ka mbushur moshën e pensionit dhe ky këshill ia ka zgjatur me kërkesë të tij, i ka zgjatur afatin e qëndrimit deri 70 vjeç. Ai nuk mund të kërkojë teknikisht…, siç ka kërkuar që të dalë në pension”, konstatoi Stojani.
Në vijim, ndryshe nga sa parashtroi Hodo, Stojani argumentoi se prokurori Malaj ishte i pezulluar nga detyra.
“Pra, nuk është se gjendja shëndetësore e tij na dikton ne. Pra, nuk ushtron funksione pune dhe e ka në pamundësi që të ushtrojë punën[…]. Pra, ose duhej të ishte shprehur për dorëheqje nga statusi i magjistratit, ose nuk do të mund të kërkonte dot daljen në pension. Pra, të dhënat që ju bazoni trajtimin e kërkesës me urgjencë janë krejtësisht të pajustifikuara dhe, nga ana tjetër, diktojnë nevojën e verifikimit të dokumentacionit në lidhje me këtë kërkesë për t’i dhënë një zgjidhje”, u shpreh Stojani dhe shtoi se nuk shikonte arsye përse duhej të injorohej komisioni dhe nuk pritej ta shqyrtonte kërkesën në normalitetin e tij.
Stojani solli në vëmendje të Këshillit se, nga një verifikim i momentit që kishte kryer, rezultonte se Malaj kishte seancën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të hënën më 22 prill, kur pritej të shqyrtohej ankimimi i tij kundër vendimit të KPK-së. Sipas tij, nuk duhej që Këshilli të ndërhynte te Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Në këtë moment ka ndërhyrë anëtari Zeqir Hodo, duke ia bërë të pamundur kolegut Stojani që të parashtronte qëndrimin e tij. Në mënyrë të përsëritur Stojani i kërkoi Hodos të mos i ndërpriste fjalën.
“Më lejo të flas”, përsëriti Stojani.
Në përfundim, Stojani tha se kërkesa e Malajt ishte e paplotë, pasi nuk kërkon dorëheqjen nga statusi i magjistratit, që sipas tij në këtë rast nuk kërkohet të paraqesë justifikim. Ai shtoi se sipas ligjit, Malaj mund të dilte në pension në moshën 70 vjeç për shkak të zgjatjes së statusit nga ana e KLP-së.
Në diskutime u fut edhe nënkryetari i KLP-së, Tartar Bazaj, i cili këmbënguli që kërkesa të futej në rend dite dhe të votohej.
“Kam kërkesën që është dorëzuar më 9 prill dhe sot jemi më datë 17. Zotëria në fjalë paraqet probleme shëndetësore dhe problemi shëndetësor nuk pyet. Ai është 69 vjeç. Ne do lozim me jetën e një magjistrati. Të hidhet në votim dhe, për mua, duhet të pranohet kërkesa. Po të ketë problem shëndetësor me zemrën, si do ndiheni juve nëse pëson një atak në zemër? Se në fund të ditës është një magjistrat që i ka dhënë këtij vendi”, argumentoi Bazaj ndër të tjera.
Në regjistrimin audio të publikuar në faqen e KLP-së ndërpriten diskutimet për rreth 10 minuta dhe në një moment dëgjohet kryetari Balla, i cili njofton se është mbledhur Komisioni i Karrierës dhe ka mbërritur relacioni e projektvendimi. Pas afro gjysmë ore regjistrim ku thuajse nuk dëgjohet asgjë, Balla deklaron rifillimin e mbledhjes dhe sqaron se janë të pranishëm 9 anëtarë.
Këtë herë Balla prezanton kërkesën e Bazajt për të futur në rendin e ditës kërkesën për daljen në pension të prokurorit Pelivan Malaj, që është votuar nga 8 prej anëtarëve të pranishëm, ndërkohë që Stojani ka votuar kundër. Në përfundim, me 7 vota pro, është miratuar projekt vendimi për mbarimin e statusit të magjistratit për prokurorin Pelivan Malaj për mbushjen e moshës së pleqërisë, si dhe është shfuqizuar vendimi për qëndrimin e tij në detyrë. Edhe në këtë rast, anëtari Sokol Stojani ka votuar kundër.
Prokurori Pelivan Malaj u shkarkua nga detyra më 11 janar 2021, pasi Komisioni konstatoi se kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasuritë, si dhe u gjet me mungesë të burimeve financiare në vlera të mëdha. Në vendimin e arsyetuar, Komisioni thekson se Malaj nuk ka qenë gjithmonë bashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit, duke mos iu përgjigjur drejtpërdrejt të gjitha pyetjeve të dërguara gjatë hetimit administrativ, si edhe nuk ka depozituar në kohë dokumentacionin e kërkuar.
Më datë 19 mars 2024, Kolegji i Posaçëm i Apelimi njoftoi në faqen online se më datë 22 prill do të gjykohej në dhomë këshillimi ankimi i prokurorit Pelivan Malaj kundër ankimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e tij nga detyra.
Nga sa u relatua gjatë mbledhjes së KLP-së, Malaj e kishte depozituar kërkesën për dalje në pension më datë 9 prill, rreth 20 ditë pas njoftimit të KPA-së për shqyrtimin e çështjes së tij. Ndërkohë, pesë ditë përpara se Kolegji të mblidhej për të shqyrtuar ankimin e Malajt në dhomë këshillimi, KLP-ja vendosi të kalojë në rend dite një kërkesë të këtij subjekti rivlerësimi dhe deklaroi përfundimin e statusit të tij magjistratit për shkak të daljes në pension.
Më 22 prill, trupi gjykues i KPA-së që shqyrton ankimin e Malajt u mblodh dhe me shumicë votash vendosi të pranojë kërkesën e subjektit për shtyrjen e seancës gjyqësore për të konfirmuar që vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për mbarimin e statusit të magjistratit” ka marrë formë të prerë dhe është caktuar që seanca e radhës të zhvillohet më 15 maj./ BIRN
AlbaniaWeb.net