Mon, Nov 25, 2024

Bastet legale, por ka arrestime! Prej 1 prillit hyri në fuqi ligji, por janë vënë në pranga 20 persona dhe hetohen 89 të tjerë

  • PublishedApril 28, 2024

Megjithëse prej 1 prillit ka hyrë në fuqi ligji që do të rikthejë bastet sportive vetëm online, ky veprim ende është i paligjshëm pasi ushtrohet nga kompani të pa licencuara.

Çdo javë policia arreston qytetarë që konstatohen duke vendosur skedina në celular në faqe të ndryshme online. Në vetëm 4 muajt e parë të këtij viti policitë vendor kanë evidentuar 70 raste me 89 autorë nga të cilët 20 janë arrestuar dhe 69 janë hetuar në gjendje të lirë.

Në operacione të ndryshme policia ka konstatuar faqet bet 77 dhe vox 365 të cilat serverat nuk i kanë në Shqipëri. Të arrestuarit kanë pasur akses nëpërmjet një useri duke vendosur baste online kundrejt pagesës që e bënin me kartë.

Me hyrjen në fuqi të ligjit që do ti lejonte bastet  online kompanitë mund të aplikojnë për të marrë licencën pranë Autoritetit ë Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit. Në total do të jepen 10 licenca me afat 10 vjeçar. Ky vendim erdhi 5 vite pasi në mbarë vendin u shtri operacioni “Fundi i marrëzisë që mbylli të gjitha sallat e basteve dhe kazinotë.

Sipas ligjit të ri për të luajtur online, persona do të regjistrohen me kartën e identitetin në faqen ueb, ose aplikacion, të gjitha transaksionet do bëhen nëpërmjet sistemit bankar dhe organizatorët janë të detyruar që të mbajnë të dhënat e lojtarëve në një regjistër të posaçëm për tre vite, kjo si masë për të kontrolluar paratë që do të qarkullojnë në këtë aktivitet.


AlbaniaWeb.net