Tetova: Ndikoi kartoni i kuq. Humbja e Egnatias? Futbolli lojë gabimesh
Numri një i stolit të Egnatias, Edlir Tetova analizoi humbjen 1-0 ndaj Vllaznisë.
“Një karton në minutën e 8 normalisht të prish ekuilibrat. Por për atë që treguan çunat në pjesën e dytë, dua t’i përgëzoj nga i pari te i fundit, për shpirtin që nuk u dorëzuan. U prishën ekuilibrat në 45 minutat e para se në pjesën e dytë mendoj që loja ka qenë e barabartë.
Ne, deri në momentet e fundit kemi qenë vetëm me Ndrecën, ai po vuan dëmtimin dhe ishim sot të detyruar të çonim Xhemajlin aty. Janë situata që tani nuk kemi si ndërhyjmë se me largimet e lojtarëve kanë qenë edhe me dëshirën e tyre, jo vetëm me dëshirën e klubit, Musta dhe Memolla. Musta u largua nga futbolli, ndërsa Memolla kërkonte minutazhin.
Mendoj që lodhja ndikoi shumë pak, sepse në pjesën e dytë, ndërrimet bënë diferencën të paktën për të shkuar drejt portës, por pa goditur dhe efikasitet në sulm. Është gol që merret, është gol i lehtë, mund të ishte i evitueshëm. Na vjen keq, por është lojë gabimesh, janë njerëzore.
Xhemajli? Mendoj se një mbrojtës mund të hyjë në ato duele, mund të ndodhë. Por po thosha për intensitetin e ndërhyrjes, është me kavilje të përthyer, është shtrirë lojtari dhe është me këmbën në tokë. Megjithatë, arbitrat e kanë parë ashtu. Po të them që çdo gjë që nuk ka intensitetin 100% goditje, nuk është karton i kuq. E sakrifikuam Aleksin në krahun e majtë sepse nuk kishim një mbrojtës të mirëfilltë, plus që edhe mesfushorin që mund të gjente vendin e Aleksit, Alesion e kishim me 4 kartonë dhe ishim të detyruar ta bënim pjesën e parë, deri sa të kisha djemtë në dhomat e zhveshjes që ti them se çfarë duhet të bënim në pjesën e dytë. Sistemet u ndryshuan. Besoj se ne u përshtatëm shumë mirë me sistemet që vendosëm në pjesën e dytë dhe ishim shumë afër të barazonim lojën. Futbolli ky është, me një lojtar më pak nuk morëm atë që deshëm”, – tha ai.