Cilat Janë Ushqimet që Balancojnë Insulinën dhe Sheqerin në Gjak
Regjimi ushqimor luan një rol thelbësor në mbajtjen nën kontroll të diabetit.
Nese njeriu arrin të kuptojë dhe të mësojë për ndikimin e ushqimeve të caktuara tek insulina dhe niveli i sheqerit në gjak, ai do të bëjë zgjedhje më të mençura në të mirë të shëndetit.
Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org, thonë se një diabetik mund të zbatojë një regjim të shëndetshëm ushqimor pa qenë nevoja për të hequr dorë nga ushqimet që i pëlqejnë.
Çelësi i suksesit është të mos e teprosh dhe të dish cilat ushqime mbajnë sheqerin në gjak në nivele të shëndetshme.
Perimet Pa Përmbajtje Niseshteje
Perimet ndahen në dy kategori: me dhe pa niseshte.
Perimet e pasura me niseshte janë të pasura me karbohidrate, të cilat rrisin nivelin e sheqerit në gjak.
Shoqata Amerikane e Diabetit të cilës i referohet AgroWeb.org rekomandon ngrënien e 3 deri në 5 racione me perime pa niseshte në ditë.
Një racion konsiderohet gjysëm filxhan çaji me copa perimesh të gatuara ose një filxhan çaji me copa perime të freskëta.
Disa prej perimeve më të mira pa niseshte janë karrotat, misri i vogël, kastraveci, kungulli, lakra dhe barishtet si rukola, spinaqi dhe sallata jeshile.
Drithërat E Plotë
Drithërat e plotë e të papërpunuar përmbajnë shumë vitamina e minerale.
Drithërat e përpunuar ofrojnë vetëm pjesën e pasur me niseshte dhe shumë më pak ushqyes.
Kur të blini bukë, biskota, kokoshka, makarona, tërshërë, miell misri e të tjerë sigurohuni që ato të jenë të përgatitura me 100% drith të plotë.
Yndyrnat E Shëndetshme
Acidet yndyrore Omega-3 janë një prej shembujve më të mirë të yndyrnave të shëndetshme.
Ato ndihmojnë në uljen e kolesterolit, ruajnë shëndetin e zemrës dhe mirëmbajnë nivelin e sheqerit në gjak.
Ushqimet më të pasura me këto yndyrna janë avokadot, vaji i ullirit, arrorët dhe farat.
Peshqit
Peshqit me nivel të lartë yndyre si salmoni përmbajnë shumë proteinë dhe acide yndyrore omega-3.
Peshq të tillë duhen konsumuar të paktën një herë në javë.
Ato rekomandohet të gatuhen në skarë dhe jo të skuqen.
Kakaoja
Kakaoja përmban flavonoidë që ndihmojnë në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak.
Një studim i vitit 2017 zbuloi se kakaoja mund të ngadalësojë avancimin e diabetit të tipit 2 dhe të pakësojë rezistencën ndaj insulinës.
Ju mund të hani çokollatë të zezë e cila përmban më shumë kakao se çokollata me qumësht.
Megjithatë, nuk duhet ta teproni me çokollatën.
Diabetikët duhet të konsumojnë një ose dy copa të vogla (katrorë) çokollate të zezë në ditë.
Ushqimet Me Proteinë
Shkencëtarët paralajmërojnë se një regjim ushqimor i pasur me proteinë bimore mund të ulë rrezikun e shfaqjes së diabetit të tipit 2.
Ushqimet e pasura me proteinë janë salmoni, peshku ton, skumbria, mishi i pulës dhe gjelit, thjerëzat, fasulet, arrorët dhe farat.
Ushqimet Që Një Diabetik Duhet Të Shmangë
Pijet me sheqer, ushqimet e përpunuara, orizi i bardhë, makaronat, buka me miell të bardhë, drithërat e pasuruar me sheqer, kosi me sheqer, patatet e skuqura dhe frutat e thata.
Këto janë disa prej ushqimeve kryesore që një diabetik duhet të shmangë në të mirë të shëndetit. /AgroWeb.org